Ministrja Dumoshi kujton poetin Ali Podrimja  

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ka kujtuar sot përmes një njoftimin poetin Ali Podrimja, në tetë vjetorin e vdekjes.

Dumoshi ka thënë se sot janë bërë tetë vite nga mosprania fizike e poetit tonë të madh, Ali Podrimja, por gjithmonë do të kujtohet përmes trashëgimisë letrare që la pas.

Ali Podrimja, ka shtuar ajo, ka qenë autor i shumë vëllimeve me poezi dhe me të drejtë konsiderohet një poet i kalibrit ndërkombëtar dhe si ndër përfaqësuesit më të njohur të poezisë së sotme shqipe.

“Poezia e tij ka qenë e pasur me figurshmëri poetike dhe me nivel të lartë kuptimor e sensual. Podrimja përmes artit poetik ka përçuar kulturën e traditën shqiptare dhe me krijimtarinë e tij e ka ngritur në një nivel tjetër poezinë shqipe.  Poezitë ‘Lum Lumi’, ‘Unë, biri yt, Kosovë’, e shumë e shumë poezi tjera të Aliut do të mbesin gjurmë të pashlyera në kulturën moderne të Kosovës”, ka thënë Dumoshi për Podrimjen në 8 vjetorin e vdekjes së potit.

Më 21 korrik të vitit 2012, Podrimja, ishte gjetur pa shenja jete në qytetin Lodev të Francës, derisa po merrte pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Voix de la Mediterranee”.

Paraprakisht, më 18 korrik, Podrimja ishte zhdukur dhe u gjet pa shenja jete me 21 korrik 2012 nga autoritetet franceze.  Sipas autoriteteve franceze, Podrimja ka humbur jetën për shkak të dehidrimit, pasi ai kishte humbur orientimin gjatë një shëtitje në një pyll.