Vizita në ish-burgun e Prishtinës. Foto: MKRS

Ministrja Dumoshi dhe ish të burgosurit politikë vizitojnë ish-burgun e Prishtinës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe një grup i ish të burgosurve politikë të Kosovës të kryesuar nga Fetah Berisha kanë vizituar ish-burgun e Prishtinës.

Në maj të këtij viti Qeveria e Kosovës nxori një vendim për shndërrimin e ish ndërtesës së Burgut të Prishtinës në muze.

MKRS përmes një komunikate ka bërë të ditur se ministrja Dumoshi gjatë këtij takimi i ka njoftuar ish të burgosurit politikë për planet për shndërrimin e ish-burgut të Prishtinës në muze, për ta dokumentuar të kaluarën e rëndë që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës si pasojë e trysnisë dhe dhunës së sistemit të kryesuar nga regjimi monist i kohës e më pas.

“Ministrja e informoi z. Berisha dhe ish të burgosurit se ka themeluar grupin punues që do ta konceptojë objektin e ish-burgut për ta shndërruar në muze. Ministrja tha se do të grumbullohet i tërë dokumentacioni ekzistues dhe i mundshëm, rrëfimet e të burgosurve, të dhëna tjera materiale, dhe do të realizohen brenda objektit disa ndërhyrje, për ta kthyer burgun në formën origjinale”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

“Ministrja dhe ish të burgosurit vizituan ambientet e ish-burgut, qelitë ku kanë qëndruar të burgosurit, dhomën e hetuesisë, ku sipas rrëfimeve të ish-burgosurve asnjë i burgosur nuk dilte në këmbë të veta por sillej në qeli kapur nga persona tjerë i tërhequr zvarrë, nga tortura e nga të rrahurat”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Burgu i Prishtinës konsiderohej si një pre burgjeve më famëkeq në të cilin u persekutuan mijëra të burgosur politikë shqiptarë.

Burgu është ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa u mbyll në 2016.

Vizita në ish-burgun e Prishtinës. Foto: MKRS
Vizita në ish-burgun e Prishtinës. Foto: MKRS