Ministrisë së Kulturës ia ‘marrin’ shtëpinë, transferohet në një objekt me qira

Fiks 41 mijë euro në muaj duhet të paguajë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shfrytëzimin e objektit të ri.

Shtëpia e re e MKRS-së do të jetë një objekt afarist në Prishtinë te ndërtesa e ish- Ramiz Sadikut.

MKRS që nga themelimi i institucioneve të Republikës së Kosovës ishte vendosur në qendër të kryeqytetit, në ish- ndërtesën e partive politike (ish- komiteti), ndërsa vendimi për tu larguar nga kjo ndërtesë është marrë nga Qeveria e Kosovës.

Me vendim të Qeverisë, ndërtesa ku për dekada funksionoi Ministria e Kulturës do t’i kalojë në shfrytëzim Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.

Qysh në fillim të këtij viti, Ministria e Administratës Publike i kishte kërkuar MKRS-së që ta lirojë objektin por për arsye të ndryshme kjo ministri nuk ka mundur të plotësojë këtë kërkesë.

Transferimi i Ministrisë së Kulturës në objekt të ri pritet të bëhet pas tri javëve kur edhe do të bëhet adaptimi i objektit të ri për nevoja të ministrisë.

Feim Maliqaj, Drejtor i Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në MKRS ka thënë për KALLXO.com se kjo ministri në bashkëpunim dhe me sugjerim të MAP-it me anë të një komisioni të kryesuar  nga MAP ka arritur marrëveshje për vendosjen e MKRS-së në një objekt afarist në pronësi private.

“Objekti gjendet në Prishtinë, tek ndërtesa e ish-Ramiz Sadiku, ndërsa kosto mujore do të jetë 41,000.00 euro. Ndërsa sa i përket kohës – afatit për vendosje, qiradhënësi me kontratë është i obliguar që të bëjë ndarjet e nevojshme brenda objektit, i cili ka konfirmuar se ky proces do të përfundojë brenda dy eventualisht tri javëve të ardhshme, pastaj MKRS do të bartet atje me anë të një kontraktori të kontraktuar nga MAP për  ri-vendosje”, ka thënë Maliqaj.

Largimi i MKRS-së nga objekti aktual është konfirmuar edhe zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të  Ministrisë së Administratës Publike.

Arton Berisha, Sekretar i Përgjithshëm në MAP tha se MKRS-së i është kërkuar që të lirojnë objektin qysh në fillim të këtij viti.

 “Ne kemi kërkuar që në fillim të këtij viti, pasi që kemi pranuar kërkesën nga Presidenca qe të lirohet ndërtesa e ish-partive politike në mënyrë që të akomodohet aty Zyra e Presidentit”, ka thënë sekretari Berisha.

Sipas tij, MKRS-s i është kërkuar që të gjejnë zgjidhje pasi që në ndërtesa qeveritare nuk ka hapësira për momentin dhe ende nuk kanë lëvizur nga aty.

Ai ka thënë se në momentin që MKRS largohet nga objekti momental do të fillojë adaptimi i ndërtesës për nevoja të Presidencës për çka MAP, sipas Berishës, ka siguruar lejen për renovim nga Komuna e Prishtinës.