Ministria e Kulturës zvoglon buxhetin për Qendrën Kinematografike

Qendra Kinematografike e Kosovës nuk do të ketë buxhetin e premtuar nga Ministria e Kulturës, për këtë vit.

Edhepse QKK-së i ishte premtuar nga MKRS një buxhet që do të kalonte mbi 1 milion euro, këtë vit për këtë institucion janë ndarë 810 mijë euro.

Buxhet më të vogël këtë vit do të ketë edhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Ndërsa, Filharmonia dhe Galeria Kombëtare do të kenë buxhet më të madh se vitin e 2019-të.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi gjatë një takimi që ka pasur një ditë më parë, me drejtues të institucioneve kulturore u ka bërë të ditur buxhetin për institucionet e tyre për këtë vit.

Zyrtarë të MKRS-së nuk janë përgjigjur interesimit të Kallxo.com, rreth buxhetit që MKRS ka ndarë për institucionet vartëse të saj për 2020.

Por, përmes një njoftimi në Facebook, MKKRS ka bërë të ditur se gjatë një takimi të ministres Dumoshi dhe drejtuesve të institucioneve, këtyre të fundit u është bërë i ditur edhe buxheti që do të kenë në dipsoicion për 2020-ën.

“Po ashtu, ministrja i ka informuar drejtuesit e institucioneve se është angazhuar që ato të kenë nënkodet e veçanta buxhetore me qëllim të planifikimit sa më të mirë dhe realizimit sa më të shpejtë të punëve të tyre dhe për shmangien e procedurave të panevojshme burokratike dhe tha se shumë shpejt do të marrin konfirmimin për këtë gjë nga Ministria e Financave”, thuhet në njoftimn e MKRS-së në Facebook.

Ndërkaq, drejtues të institucionve kanë konfirmuar për Kallxo.com takimin dhe buxhetin e caktuar për institucionet e tyre.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë për Kallxo.com se buxheti i ndarë për këtë vit për QKK-së është 810 mijë euro.

“Patëm një takim në ministri, dhe na treguan që buxheti ka më qenë 810 mijë euro, ndërsa për ndonjë rritje të mundshme e shohim kur të ketë rishikim të buxhetit”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Vitin e kaluar buxheti për këtë institucion i ndarë nga ministria i kishte kaluar 1.2 milion euro.

Buxhet më të vogël se vitin e kaluar do të ketë edhe Baleti Kombëtar i Kosovës.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të këtij institucioni ka thënë për Kallxo.com se për këtë vit nga MKRS janë ndarë 180,000, përderisa vitin e kaluar buxheti i BKK-së i kalonte 200 mijë euro.

“Buxheti për sivjet është 180,000, d.m.th më i ulët se vitin e kaluar. Shpresoj që këtë vit buxhetin ta alokojmë përmes nënkodit buxhetor, i cili presim se do të funksionalizohet”, ka thënë Musolli.

FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

Ndërkaq, Filharmonia e Kosovës do të ketë rritje të buxheti për këtë vit. Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë ka thënë për Kallxo.com se buxheti i këtij institucioni për këtë vit është 350 mijë euro.

“Buxheti për këtë vit do të jetë 350 mijë euro dhe pritet të alokohet përmes nënkodit të veçantë që do të autorizohet nga Ministria e Financave. Vitin e kaluar buxheti i Filharmonisë ka qenë 320 mijë euro”, ka thënë drejtori Jashari.

Rritje të buxheti për këtë vit do të ketë edhe Galeria Kombtare. Për këtë institucion MKRS për 2020-të ka ndarë 190 mijë euro.

“Buxheti për këtë viti është 190 mijnë euro. Buxheti do të alokohet sipas planit të punës, ku disa shpenzime duhet të revidohen meqë kerkesa jonë ka qenë 234,000 euro, me plan të punës. Vitin e kaluar buxheti i GKK ishte 165 mijë euro”, ka thënë për Kallxo.com, Arta Agani, drejtoreshë e GKK-së.

Institucionet Kulturore Kombëtare ende nuk janë pajisur me nënkode buxhetore. Deri në gusht të 2018-ës buxhetin e shfrytëzonin përmes xhirollogarive në bankat komerciale.

Ndërsa, nga gushti i 2018 me rekomandim të Zyrës Kombëtare të Auditimit, MKRS mbylli edhe xhirrologaritë e institucioeneve në bankat komericilale, duke krijuar një kaos fianciar për këto institucione.

Të gjitha obligimet, fianciare, pagesat dhe transaksionet tjera këto institucione që nga vera e 2018 janë duke i kryer përmes MKRS-së, me proceduar mjaft të komplikuara.

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!