Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Kulturës sqarohet për vendimin që ua ndalon punëtorëve të saj postimet në rrejtet sociale

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka lëshuar sot një Qarkore Administrative, përmes së cilës ua ndalon punëtorëve të saj postimet dhe komentet politike në rrejtet sociale.

Përmes kësaj Qarkore të brendshme, i bëhet thirrje stafit të civil MKRS që të përmbahet dhe të jetë i kujdesshëm gjatë deklarimeve në formë postimesh në rrjetet sociale.

Ndaj nëpunësve civil të do të shkelin rregullat dhe parimet e shërbimit civil, konkretisht në qarkore parashihen të merren masa disiplinore.

Ibër Alaj, ushtrues i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS, ka thënë për Kallxo.com se Qarkorja nuk cenon lirinë e shprehjes, por sipas tij, ka për qëllim paanshmërinë në adminsitratën shetërore, ruajtjen e imazhit dhe besueshmërisë së publikut.

“Zyrtarët publik u shërbejnë gjithë qytetarëve pa ngjyrime politike, sepse mandati dhe detyra e çdo administrate është t`u shërbej qytetarëve. Qëllimi i administratës shtetërore është që t’i shërbej qytetarit, sepse ne jemi të përzgjedhur t’ i shërbejmë publikut”, ka thënë Alaj.

Për vendimin për qarkoren, Alaj ka thënë se është bazuar në ligjet në fuqi dhe ky dokument nuk është publik, por vetëm për staf të MKRS-së.

Ai ka thënë se praktika të tilla zbatojnë edhe vendet evropiane me një demokraci të zhvilluar.

“Për të nxjerrë këtë Qarkore jeni bazuar në ligjin për administratën shtetërorë, në bazë të rregulloreve, në bazë të praktikave dhe udhëzimeve që kanë edhe shtetet evropiane. Qarkorja nuk është publike. Kjo qarkore është për MKRS, punëtorët e saj, është qarkore e brendshme lidhur me mundësinë që zyrtarët të ruajnë integritetin e punës dhe etikën për të cilën janë zgjedhur”, ka thënë u.d. i Sekretarit të Përgjithshëm në MKRS, Ibër Alaj.

Alaj ka thënë se nuk është në dijeni nëse edhe institucionet tjera shtetërore- ministritë kanë marrë vendin për lëshimin e qarkoreve që ua ndalon punëtorëve- stafeve civile, postimet apo komentet politike në rrejtet sociale.

Sipas Aljat, vendimi i MKRS-së për qarkoren mund të shërbej si një shembull i mirë që mund të ndiqet edhe nga institucionet terja shtetërore.