Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Ministria e Kulturës lë pa mbrojtje mijëra asete të trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka lënë pa mbrojtje mijëra artefakte dhe monumente të trashëgimisë kulturo-historike. Përjashto 23 asete të trashëgimisë të cilat janë në Listën e përhershme për mbrojtje, asetet që gjendeshin në Listën e përkohshme, që nga tetori i 2019 janë pa mbrojtje.

Lista e vitit të kaluar për mbrojtje të përkohshme të Trashëgimisë Kulturore përmbante 1,595  asete, por ato ishin nën mbrojtje vetëm deri më 10.10.2019.

Ndërkaq, MKRS ende nuk ka hartuar/publikuar Listën e re, për mbrojtje të përkohshme të trashëgimisë.

Trashëgimia Kulturore e Kosovës i është nënshtruar një presioni të madhë të bizneseve – ndërtuesve, andaj edhe mos hartimi dhe publikimi i Listës së re për mbrojtje të përkohshme është një rast i ‘artë’ për gjithë ata që trashëgiminë e shohin si pengesë për realizmin e qëllimeve të tyre.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në MKRS ka thënë për Kallxo.com se Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme është e definuar dhe përmban propozimet e vlerësimet përkatëse nga institucionet dhe palët e autorizuara me ligj për këto propozime.

“Aktualisht procesi është në fazën e fundit të përmbylljes me procedurë të brendshme administrative në MKRS për publikim dhe shpallje me akt administrativ. Bazuar në kornizën ligjore në fuqi, regjimi i mbrojtjes ligjore të aseteve që janë pjesë e listës, zbatohet efektivisht edhe për fazën e vlerësimit, dokumentimit dhe inventarizimit të këtyre aseteve dhe kërkesave tjera që i kemi pranuar. Kërkesat kanë të bëjnë me propozime të reja, propozime dhe kërkesa për largim nga lista dhe me theks të veçantë kërkesa për definimim të zonave mbrojtëse”, ka thënë ajo.

E tëra kjo, sipas saj, ka rezultuar me nevojën për rishqyrtim të statusit ligjor të disa aseteve dhe se ky proces është duke vijuar  sipas procedurës standarde operative që zbatohet për raste të tilla.

Sali Shoshi, ekspert i trashëgimisë kulturore, ka thënë për Kallxo.com se hartimi dhe publikimi i Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojte të Përkohshme është obligim ligjor i MKRS-së.

Por, ky obligim ligjor nuk është respektuar nga MKRS-ja.

Ai ka thënë se lista përmban propozime të aseteve të cilat kanë potencial vlerash për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojte të Përhershme.

“Sipas ligjit, pas publikimit të Listës së Trashëgimisë Kulturore për Mbrojte të Përkohshme, institucionet përgjegjëse (MKRS), brenda një afati kohor prej 12 muajve duhet të bëjnë një vlerësim detal të asetëve brenda kësaj Listë, të cilat pastaj do të përfshihen në Listën e për Mbrojte të Përhershme. Ky obligim ligjor nuk është respektuar nga ana e MKRS-së. Ne kemi parë që Lista për Mbrotje të Përkohshme është përsëritur çdo vit, ndërsa nuk është arritur të bëhet një vlerësim i detajuar dhe se në Listën për Mbrotje të Përhershme janë regjistruar diku me pak se 30 nga mbi 1,500”, ka thënë Shoshi.

Por, ajo që është brengosëse, sipas Shoshit është fakti se vet Lista e Përkohshëm në përmbajte të saj është e pakompletuar.

Në analizën e disa prej dosjeve unike të regjistruara në Databazë, sipas tij, është vërejtur që ato janë gjysmake, se përpos mungesës se të dhënave për rendësinë (deklarata e rendësisë) dhe periudhën kohore, një mungesë e ndjeshme vërehet në informatat hapësinore – perimetrin dhe zonën e mbrojtur të monumenteve.

“Definimi i zonës së mbrojtur për asetet nën mbrojte të përkohshme dhe përhershme është obligim ligjor sipas neni 6, paragrafit 6.4 të Ligjit. Nga informata që unë i kam, e kam kuptuar që institucionet kompetent deri më kanë definuar  vetëm 3-4  ‘zona të mbrojtur’. Mungesa e definimit të këtyre zonave ka ndikuar në zhvillime negative rreth asetëve. Kemi vërejtur ndërtime të larta pa kriter, në afërsi të asetëve dhe si rrjedhojë kemi humbje të mëdha të shtresave dhe indeve historike urbane dhe rurale”, ka thënë Shoshi.

Ligjërisht MKRS është përgjegjëse për hartimin e listës së trashëgimisë në mbrojtje të përkohshme.

Asetet e përfshira në Listën e fundit të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme ishin nën mbrojtje për një (1) vit, nga 10.10.2018 deri me 10.10.2019. MKRS ende nuk ka publikuar listën e re për mbrojtje të përkohshme të trashëgimisë kulturore.

 

 

 

 

Ulpiana
Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com