Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Kulturës lë pa mbështetje shoqatën më të vjetër të shkrimtarëve në vend 

Asnjë nga aktivitetet kulturore vjetore të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, nuk është mbështetur financiarisht këtë vit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Emri i kësaj shoqate, nuk figuron në asnjë prej listave të publikuarat nga MKRS për mbështetje të projekteve kulturore të OJQ-ve.

MKRS nuk ka përkrahur as revistën letrare, “Metafora” që botohet nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.

Si shenjë proteste, LSHK ka dërguar një ankesë në MKRS.

“Nuk financohen as tri pjesët e projektit që u hartuan sipas kërkesave të kohës së pandemisë, siç bëmë edhe vjet, në vend të tri projekteve i bëmë tri pjesë të një projekti të redaktuar në maksimum. Fjalë është për ‘Drinin poetik’, manifestimin ‘Esad Mekuli’ dhe ‘Orën letrare’”, thuhet në ankesën e LSHK-së drejtuar Ministrisë.

Ndërsa, zyrtarë të MKRS-së kanë thënë për KALLXO.com se LSHK-ja nuk ka ofruar dëshmitë e nevojshme të kërkuara sipas konkursit.

“Aplikacioni i LSHK nuk ka qenë i standardizuar sipas formularit të thirrjes publike, që është obligative sipas Rregullores 04/2017. Po ashtu LSHK nuk ka parashtruar as dokumentacionin e nevojshëm obligativ siç ka qenë Deklarata për financim të dyfishtë. Gjithashtu u ka munguar edhe dëshmia valide e ATK-së. Deklarata ka qenë e vitit 2018-të, që konsiderohet si e papranueshme për Divizionin e Buxhetit dhe të Financave, që kanë përfaqësuar në komisionin vlerësueses”, ka thënë Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës.

LSHK-ja hedhë poshtë pohimet e Ministrisë se aplikacioni i LSHK kishte mangësi.

Ndërsa sa i përket revistës “Metafora”, Fetiu ka thënë ajo nuk është parakualifikuar sipas kërkesave ligjore të konkursit për financim të revistave letrare.

Fetiu ka thënë se LSHK ka të emëruar përfaqësuesin e vet në Këshillin e Librit përmes të cilit mund t’i propozojë MKRS-së dhe ministrit, ndryshimet ligjore dhe rregullative për përkrahje financiare.

“Përveç përkrahjes për revista, MKRS jep edhe subvencione për projekte të ndryshme kulturore për OJQ dhe individ. Të gjithë të interesuarit janë të inkurajuar të konkurrojnë në konkurset e ardhshme”, ka thënë Fetiu.