Teatri i Ferizajt "Adriana Abdullahu"

Ministria e Kulturës lë pa mbështetje Festivalin e Teatrove në Ferizaj, reagon Këshilli Organizativ

Ministria e Kulturës e ka lënë jashtë listës së mbështetjes financiare për këtë vit Festivalin e Teatrove në Ferizaj.

Shkak për këtë mosmbështetje është mosraportimi i obligimeve paraprake ndaj MKRS-së nga ana e organizatorëve të këtij festivali.

Këtë viti Teatri i Ferizajt ka konkurruar në MKRS për fond për këtë festival, në partneritet me OJQ-në “SWOK Kosova”.

Menjëherë pas publikimit të listës së MKRS-së për mbështetje të projekteve të OJQ-ve, ka reaguar Këshilli Organizativ i Festivalit të Teatrove për vitin 2021 dhe Teatri “Adriana”, përmes një postimi në Facebook.

Vitin e kaluar MKRS kishte dhënë 8 mijë euro për këtë festival, por për shkak të COVID-19 dhe masave qeveritare për parandalimin e përhapjes së pandemisë festivali nuk është mbajtur.

Zana Fetiu, këshilltare e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se Festivali i Teatrove në Ferizaj është mbështetur financiarisht për edicionin e 50-të, gjatë vitit 2020.

Vitin e kaluar MKRS ka dhënë 8 mijë euro për mbajtjen e Festivalit të Teatrove në Ferizaj. Por, për shkak të coronavirusit dhe masave qeveritare për parandalimin e përhapjes së COVID-19, edicioni i 50-të i këtij festivali ishte shtyrë.

“Fatkeqësisht festivali nuk është mbajtur deri më tani dhe rrjedhimisht organizatorët nuk i kanë përmbyllur obligimet paraprake ndaj MKRS-së, për këtë shkak komfor Rregullores nr- 04/2017 mbi kriteret standarde dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, nuk kemi pasur të drejtë të përkrahim këtë aktivitet”, ka thënë Fetiu.

Ndërsa, Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana Abdullahu”, bashkë-organizator i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ka thënë për KALLXO.com këtë vit planifikohet organizimi i dy edicioneve të festivalit të 50 dhe të 51-it.

Andaj sipas tij, mjetet e vitit të kaluar nuk mjaftojnë për organizimin e dy edicioneve.

“Festivali në këtë vit do t’i ketë dy edicionet të 50-in dhe të 51-in, pasi që 50 vjetori ka qenë dhe është vit jubilar. Vitin e kaluar MKRS e ka përkrahur Festivalin me vetëm 8 000 euro. Mirëpo, me që keni një edicion jubile kjo shumë nuk mjafton as për së afërmi”, ka thënë Hyseni.

Festivali i Teatrove në Ferizaj është në procedurë të shpalljes “Vlerë e trashëgimisë shpirtërore” nën mbrojtje të shtetit.