Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Kulturës kundërligjshëm kompensoi stafin e saj nëpër këshillat drejtuese dhe komisione

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka kompensuar në mënyrë të kundërligjshme stafin e saj të angazhuar në këshillat drejtues dhe komisione të ndryshme.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka konstatuar në Raportin e auditimit të pasqyrave financiare vjetore të MKRS-së për 2020, se kjo ministri kishte anashkaluar kërkesat ligjore duke kompensuar stafin e angazhuar në këshilla drejtuese dhe komisione të ndryshme.

Vlera e kompensimeve i kalon 56 mijë euro.

“Vlera totale e këtyre kompensimeve ishte 56,575 euro të cilat ishin paguar: 18,650 euro nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve dhe 37,925 euro nga kategoria subvencione dhe transfere. Shkaku i këtyre kompensimeve sipas menaxhmentit të MKRS-së ishte motivimi i stafit, pasi që në mungesë të kompensimit stafi hezitojnë të angazhohen në komisione të tilla. Për këtë çështje, menaxhmenti i MKRS kishte kërkuar edhe interpretim në MF”, thuhet në raportin e auditorit, çështja A5.

ZKA- konstaton se sipas neni 80 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, brenda orarit të punës nuk lejohet kompensimi shtesë nëse një punonjës, shërbyes civil ose zyrtar i një autoriteti publik ose organizate buxhetore.

Auditori i rekomandon MKRS-së që  t’i rishikoj rastet e mësipërme dhe t’i ndalojë pagesat pa një bazë të qartë ligjore, si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të iniciojë zhvillimin e një politike të re rreth funksionimit të këshillave drejtuese dhe komisioneve duke specifikuar në mënyrë të qartë udhëzimet rreth angazhimit, punës dhe kompensimit të anëtarëve të këshillave e dhe komisioneve të ndryshme.