Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Kulturës hap thirrje për shpërndarjen e Fondit emergjent

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka hapur thirrje për mbështetje financiare publike për projektet kulturore artistike për individë nga Fondi emergjent i rimëkëmbjes ekonomike.

Sipas kësaj thirrje, MKRS-ja  do të mbështeten projektet me karakter profesional, promovues, stimulues, tradicional, inovativ, kreativ, kritik, dhe projektet të diversitetit kulturor.

Projektet që mund të përfitojnë nga ky fond emergjent për rimëkëmbje ekonomike duhet të jenë në fushat artizanaleve, vallëzimit, dizajnit, muzikës, teatrit e arteve tradicionale.

Për të përfituar mbështetje nga Fondi emergjent konkurruesit duhet të plotësojnë një varg kushtesh të vëna nga ministria.

“Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë Individët që dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në fushën e promovimit të kulturës. Individët duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislaconit në fuqi, në përputhje me rregullat e kontabilitetit, si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesit të mbështetjes financiare dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare publike”, thuhet në thirrje.

Thirrja mbetet hapur deri më 25 nëntor 2020.

Ministria e Kulturës ka filluar shpërndarjen e pjesës së parë prej 2.5 milionë eurove nga fondit emergjent prej 5 milionë eurove të ndara nga qeveria për mbështetje të fushave që mbulohen nga MKRS-ja.