Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Ministria e Kulturës hap ftesë publike për projektet e trashëgimisë kulturore

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur ftesë publike për projekte të organizatave joqeveritare, në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë dhe në vendet ku ka më shumë diasporë.

“Të gjitha Organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asocimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e Trashëgimisë Kulturore”, shkruhet në ftesën e MKRS-së.

Sipas kësaj shkrese zyrtare, OJQ-të mund të aplikojnë me së shumti një projekt në kuadër të ftesës publike.  Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 24 dhjetor 2020.

Afati i thirrjes është 15 ditë pune që nga data 19 maj deri më datë 8 qershor 2020.

Mbështetja financiare për projekte kulturore-artistike është paraparë deri në 200,000.00 euro, shuma minimale për OJQ-të e cila mund të alokohet për çdo projekt është 2,000.00 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është  10,000.00 euro.

Qëllimi i këtij projekti është promovimi i trashëgimisë kulturore, edukimi, aftësimi dhe pjesëmarrja aktive në mbrojtjen e trashëgimisë, promovimi, respektimi dhe mbrojtja  e diversitetit, rritja e numrit të botimeve, guidave, mediumeve virtuale për t’u shpërndarë në vend dhe jashtë vendit si dhe promovimin e gastronomisë lokale tradicionale si prodhim turistik.

Detajet e aplikimit gjenden në ftesën zyrtare në faqen zyrtare të MKRS-së.