FOTO : Baleti Kombëtar i Kosovës

Ministria anashkalon kriterin profesional në konkursin për drejtor të Baletit Kombëtar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka anashkaluar kriterin profesional në konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, është hapur në mes të muajit që shkoi (tetor). Faza e aplikimit të kandidatëve të interesuar fillon nga data 25. 11. 2021 dhe zgjatë deri më 09.12.2021.

Sipas kritereve të konkursit të drejtë konkurrimi kanë të gjithë persona me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës.

Në konkursin për drejtor të Teatrit Kombëtar është e specifikuar çështja e kriterit profesional, e njëjta është e rregulluar edhe për pozitën e drejtorit të Fiharmonisë, ku kërkohet që drejtori të jetë nga fusha e muzikës.

Anashkalimi i kriterit profesional, në këtë rast përgatitja profesionale në koreografi, si kriter primar është parë me rezerva nga njohës të fushës së koreografisë.

Sipas tyre, ‘fajtor’ për këtë anashkalim është Ligji aktual për Filharmoninë, Operën dhe Baletin. Ky ligji është miratuar në vitin 2006.

 

Kriteret e dëmshme

Dilaver Kryeziu, koreograf dhe studiues i valleve ka thënë për KALLXO.com se ligji aktual për Baletin mundëson që të anashkalohet kriteri profesional, kur është në pyetje zgjedhja e drejtorit i këtij institucioni.

“E gjitha varet nga Ligji i Baletit, ligj i cili i jep mundësi që edhe sociologu e juristi të udhëheqin një institucion të kulturave botërore, që është gabim shumë i madh. Edhe në Këshillin Drejtues të Baletit janë ata që kurrë balet s’kanë parë e lere më që e dinë çka është baleti. Megjithatë ligji është mbi gjitha”, ka thënë Kryeziu.

Koreografi Robert Nuha, ka thënë për KALLXO.com se drejtori i ardhshëm i BKK-së duhet të jetë person që vjen nga fusha përkatëse.

“Do të doja që udhëheqësi i ardhshëm të jetë i fushës dhe dikush që ka një backround akademik e profesional, sepse kështu do përfitonte vet institucioni duke i krijuar vetes hapësirë menaxhuese konkrete dhe të evitojë eksperimentet që janë bërë deri më tani dhe që thënë të drejtën nuk kanë pasur sukses fare, e mos të them që edhe e kanë dëmtuar imazhin e BKK-së”, ka pohuar ai.

Ai ka thënë se që MKRS duhet të kujdeset që procesi i zgjedhjes së drejtorit të ardhshëm të BKK-së të jetë transparent dhe, siç ka thënë ai, të thyej klanet që kanë funksionuar deri më tani në BKK.

“Uroj që edhe ky proces mos të jetë siç ka ndodhur në të kaluarën, që shpesh-herë është dukur që fituesi/ja dihej akoma pa dal rezultati final, por të fitojë ai ose ajo që meritojnë shansin për të drejtuar! Të trajtohet BKK si institucion publik, ashtu siç edhe është e jo si pronë private që për fat të keq deri më tani ka ngjarë”, ka thënë ai.

 

Zgjedhja sipas ligjit

Zyrtarë të MKRS nuk kanë dashur të flasin rreth kritereve të konkursit, duke thënë se kjo është çështje e Këshillit Drejtues të BKK-së. Ndërsa këta të fundit nuk i janë përgjigjur interesimit të KALLXO.com rreth anashkalimit të kriterit profesional.

Sipas ligjit, drejtori i BKK-së zgjedhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës.

“Drejtori zgjidhet në bazë të konkursit publik të shpallur nga Këshilli drejtues me propozim të Këshillit artistik. Për drejtor të Baletit zgjidhet personi me përgatitje profesionale në fushën e artit dhe të kulturës, si dhe me përvojë dhe aftësi udhëheqëse”, thuhet në nenin 46-të të Ligjit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës.

Drejtori i Baletit zgjidhet me mandat dhe në kohëzgjatje prej 3 vjetësh, me mundësi të rizgjedhjes.