Ministri në largim emëron kuratorin dhe koordinatoren e Pavijonit të Kosovës në Bienalen ‘Venedik 2020’

Ministri në dorëheqje i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në bazë të kompetencave, ka emëruar sot komisionerin dhe kuratorin për edicionin e 17-të të Bienales së Venedikut për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arkitekturës për vitin 2020.

Përmes një njoftimi për media, MKRS njofton se Jehona Shyti, aktualisht drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS,  është emëruar komisionere e Pavijonit të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje në Bienalen e Venedikut, që për këtë vit mbahet Ekspozita Ndërkombëtare e Arkitekturës, për të 17-tën herë me radhë.

Ndërsa, arkitekti Maksut Vezgishi është emëruar kurator i Pavijonit të Kosovës në këtë ngjarje të madhe ndërkombëtare.

Tema e sivjetme e ekspozitës, të cilën e ka përcaktuar Bienalja e Venedikut është “How we can live together”.

Sipas Komunikatës së MKRS-së, në bazë të vendimit të ministrit, komisionerja ka për detyrë të punojë ngushtë me kuratorin dhe të mbështesë ekzekutimin dhe menaxhimin e projektit me të cilin do të përfaqësohet Kosova në Bienale si dhe të zhvillojë komunikimin e dyanshëm me zyrtarët e Venedikut dhe me opinionin e gjerë.

“Ndërkaq, kuratori ka për detyrë që përmes kreacionit të tij të zbatojë dhe realizojë projektin e Kosovës në Bienale, të cilën do ta zbatojë arkitekti prizrenas Maksut Vezgishi”, thuhte në njoftimin e MKRS-së.

Kuratori Vezgishi ka përfunduar studimet e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe ka punuar si asistent në këtë fakultet nga viti 1993-1996. Ka punuar si redaktor artistik në shumë revista si “Zëri”, “MM”, Thema”, “Sheshi” dhe në shtëpinë botuese “Dukagjini”, galerinë “Dodona” dhe në Fondacionin për Shoqëri të Hapur (KFOS). Ai gjithashtu në fushën e skenografisë ka bashkëpunuar me teatro të shumta, në Prizren, Prishtinë, Sisak, Lubjanë, Shkup, Bruksel dhe Elbasan. Vezgishi jeton dhe vepron në Bruksel.

 

Maksut Vezgishi

Jehona Shyti