Pamje nga promovimi i librit, ‘Kosova 1968-1990’. Foto: Facebook/Armend Mehaj

Ministri Mehaj për librin ‘Kosova 1968-1990’: Kontribut në ruajtjen e memories historike

Është promovuar sot në Deçan libri “Kosova 1968-1990” i historianit Shkodran Imeraj.

Promovimi është mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal, nën patronatin e kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Monografia “Kosova 1968-1990” trajton rrjedhën politike në Kosovë nga shpërthimi i demonstratave më 1968, deri te pushtimi i institucioneve kosovare nga Serbia dhe fillimi i ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në promovim mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Mehaj ka shkruar se libri “Kosova 1968-1990” është kontribut për të njohur historinë kombëtare.

“Duke njohur historinë tonë e kemi shumë më të sigurt rrugëtimin drejtë së ardhmes. Trajtimi i kësaj periudhe të historisë sonë është kontribut shumë i vlefshëm në ruajtjen e memories sonë historike. Ky studim na ofron periudhën historike me fakte dhe dëshmi të pamohueshme dhe rikujton sfidat e mëdha që kemi kaluar si popull në përpjekjet tona për Lirinë që e gëzojmë sot”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Monografia “Kosova 1968-1990” është botuar vitin e kaluar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.

Libri ‘Kosova 1968-1990’. Foto: KALLXO.com.