Ministri Gashi takon aktorin turk Tolgahan Sayisman, flasin për projekte bashkëpunimi

Kosova dhe Turqia pritet që shumë shpejt të nisin realizimin e projekteve të përbashkëta filmike bazuar në marrëveshjen e nënshkruar më parë në mes Ministrive të Kulturës të dy vendeve.

Për këtë qëllim, ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka pritur sot një delegacion të kryesuar nga aktori turk me famë botërore, Tolgahan Sayisman.

Ishte vet ministri Gashi i cili zbuloi qëllimin e këtij takimi me aktorin turk, sipas të cilit, kjo vizitë realizohet me ftesë të tij dhe për shqyrtuar bashkëpunimet në fushën e filmit, pjesë e të cilave pritet të jetë aktori Sayisman.

Gashi ka thënë pas takimit se për më pak se dy vjet Ministria e Kulturës së Turqisë dhe ajo e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e filmit dhe, siç ka thënë ai, tashmë ka ardhur momenti për t ‘i konkretizuar marrëveshjet.

“Natyrisht që ky është një takim njohës por edhe një dakordim yni i përbashkët që të bashkëpunojmë në fushën e kinematografisë duke pasur parasysh se aktori ka lënë gjurmë në këtë fushë dhe në ditëve dhe muajt në vazhdim mund të kemi projekte konkrete”, ka thënë ministri Gashi.

Ndërsa, aktori Tolgahan Sayisman ka thënë se është i nderuar me ftesën dhe mundësinë për të qenë pjesë e projekteve të përbashkët kulturore.

“Javën e kaluar është realizuar një marrëveshje në mes Turqisë dhe Kosovës, dhe ftesa që më është bërë mua që të vij pas realizmit të marrëveshjes, në cilësinë e ambasadorit të kulturës më ka nderuar shumë pasi gjysmën e familjes e kam shqiptare”, ka thënë aktori turk, Tolgahan Sayisman.