Ministri Gashi inspekton punimet në Kullën e Azem Galicës

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka inspektuar punimet që po bëhen për restaurimin dhe konsolidimin e Kullës së Azem Bejtës, në Galicë të Vushtrrisë, të cilat po realizohen nën koordinimin dhe monitorimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

MKRS përmes një komunikate, bënë të ditur se ministri Gashi ka vlerësuar punimet që po realizohen në kuadër të revitalizimit të Kullës.

Komunikata citon ministrin Gashi të ketë thënë se Kulla e Azem Galicës, e ndërtuar në fund të shek. XIX, ishte djegur tri herë she se ajo ishte kullë fortesë dhe qëndrimi i përhershëm i komandantit në të, i dha popullit zemër dhe trimëri të shumëfishtë.

“Në këtë kullë mbaheshin mbledhje dhe kuvende të rëndësishme, u morën vendime historike, andaj kjo kullë u bë pishtar i ndezur i lirisë” ka thënë me këtë rast Gashi, citon komunikata.

Sipas komunikatës, në kuadër të projektit restaurues dhe konsolidues është i planifikuar sanimi i mureve të kullës dhe të oborrit, pastrimi dhe rregullimi i konstruksioneve të drurit, rregullimi i oborrit dhe i varrezave.