Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Çeku tregon arsyet e anulimit të konkursit për drejtorin e Teatrit Kombëtar 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka treguar arsyet e anulimit të konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar. 

Ministri Çeku ka thënë gjatë emisionit “Kallxo Përnime” se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik, ka konstatuar se ka pasur një mori shkeljesh procedurale në mënyrën se si është zgjedhur drejtori i përgjithshëm i TKK-së.  

Për këto shkelje që janë bërë për këtë proces ministri tha se është paditur MKRS-ja. 

“Kjo është edhe një prej arsyeve kryesore që Këshilli i kaluar Drejtues i TKK-së nuk është më, një këshill që ka bërë shkelje e një prej shkeljeve është kjo, mënyra se si e kanë zgjedhur drejtorin e Përgjithshëm të TKK-së. Aty ka pasur politizim, ka pasur ndërhyrje. Për me ua ilustruar po u jap dy informata; konkursi për drejtorin e përgjithshëm të teatrit dhe konkursi për udhëheqësin artistik të teatri janë hapur në periudhën e tranzicionit, kur qeveria e kaluam ka qenë ilegale me vendim të Gjykatës Kushtetues dhe kur të gjithë e kanë ditur se po vie një qeveri tjetër”, ka thënë Çeku.  

Sipas tij, është bërë një nguti për t’i hapur konkurset për dy pozitat më të rëndësishme në TKK-së, dhe KD-ja i kaluar i TKK-së ka tentuar që t’i zgjedhë shpejt e shpejt drejtuesit dhe tu sigurohet një kontratë e rregullt katërvjeçare. 

Emërimi i ri i KD-së së TKK-së, ka shtuar më tej Çeku është bërë për tu siguruar se më nuk do të ketë ndërhyrje dhe shkelje çfarë janë bërë gjatë këshillit të kaluar. 

Sipas tij, garës për pozitat drejtues në TKK duhet t’i hyjnë personalitete më të njohura të artit skenik në vend. 

Një ditë më parë MKRS duke u bazuar në një vendim të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik, ka anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të TKK-së.