Foto: Vlora Dumoshi/Facebook

Mesazhi i ministres Dumoshi për Ditën Ndërkombëtare të Librit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi përmes një mesazhi në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit ka siguruar gjithë njerëzit e librit në Kosovë se do të vazhdojë mbështetjen e krijimtarisë letrare. 

Duke kujtuar edhe emrat e njohur të letërsisë botërore si Shekspirin e Servantesin, Dumoshi 23 prillin e ka quajtur si shpikja më e bukur për ndarjen e ideve përtej kufijve të hapësirës dhe kohës.  

 Sipas saj, Kosova mburret me trashëgiminë letrare që personalitet të shumta i lanë ndër vite.  

 “Ndaj me respektin më të përulur dua të kujtoj të gjitha personalitetet e shquara të letërsisë sonë të cilët përmes librave të tyre na ushqyen idealet e shpirtin. Të gjithë njerëzit e letrave, që me angazhimin e tyre e bëjnë dijen të qasshme për secilin prej nesh. Si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dua t’i siguroj të gjithë krijuesit, autorët e botuesit në Kosovë, që do të bëj përpjekjen e vazhdueshme përmes formave dhe kanaleve institucionale, për ruajtjen dhe mbështetjen e krijimtarisë letrare”, ka pohuar në mesazhin e saj ministrja Dumoshi. 

 Ndërsa ka shtuar më tej se duke njohur mirë sfidat e komunitetit krijues e botues në Kosovë, një segment tjetër i rëndësishëm po aq i ndërlidhur me krijimtarinë letrare e publicistike është edhe e Drejta e Autorit.  

 “Konsideroj se me gjithë hapat që janë ndërmarrë nga MKRS kundër piraterisë e falsifikimit, akoma na presin hapa të tjerë përmes të cilëve sigurojmë që puna e secilit autor të marrë vlerësimin dhe mbrojtjen që i duhet. Shpreh konsideratën time më të thellë për angazhimin e secilit krijues, botues, kritik e publicist dhe ju siguroj për mbështetjen time të pa rezervë që bashkërisht librit në Kosovë, t’i falim ditë të tjera, edhe më të mira”, thuhet në mesazhin e ministres së MKRS-së, Vlora Dumoshi në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtave të Autorit.