Merret vendimi për mbajtjen e Seminarit të 39-të të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare

Seminari i 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të mbahet më 30 dhe 31 tetor 2020.

Kështu ka bërë të ditur Këshilli Drejtues i Seminarit përmes një postimin në Facebook, në faqen zyrtare të seminarit.

Sipas njoftimit, Seminari i XXXIX do t’i zhvillojë punimet në Prishtinë ndërsa hapja solemne bëhet më 30 tetor në orën 09:00.

Seminari i 39-të është dashur të mbahet në pjesën dytë të gushtit, por COVDID-19 pamundësoi mbajtjen tij.

Edicioni i sivjetmë i seminarit i caktuar për në tetor do të mbahet me një program të reduktuar për shkak të pandemisë së Coronavirusit dhe pa pjesëmarrjen e shumë studiuesve dhe seminaristëve të huaj.

Programi bazë i Seminarit XXXIX do të përfshijë vetëm tryezën shkencore, sesionet dhe referimet shkencore.

Sesionet shkencore, në gjuhësi dhe letërsi dhe kulturologji mbahen më 31 tetor 2020. Temë bosht e sesionit të Gjuhësisë është: Struktura e shqipes së vjetër, ndërsa nga Letërsia, tema bosht është: Letërsia shqipe: vetmia dhe veçimi, ndërkaq tema boshte sesionit të Kulturologjisë është: Roli i medias në periudhën e infodemisë.

Kurse, në tryezën shkencore të seminarit, këtë vit do të diskutohet për 120 vjetorin e vdekjes së Naim Frashërit dhe 80 vjetorin e vdekjes së Gjergj Fishtës.

Drejtoria e seminarit njofton të interesuarit që abstraket e punimeve në shqip dhe në anglisht t’i dorëzojnë deri më 15 tetor 2020 në e-mail adresën [email protected]. Vlerësimi dhe përzgjedhja e punimeve bëhet deri më 25 tetor.

Studiuesit nga Shqipëria duhet të aplikojnë në bashkëdrejtorinë e Seminarit në Tiranë (e-mail adresa: [email protected]).

“Studiuesit nga vendet e tjera të botës, të cilët për shkak të rrethanave të pandemisë nuk mund të jenë të pranishëm fizikisht në Seminar, mund të aplikojnë për të marrë pjesë online në punimet e Seminarit. Po ashtu, ftohen studiuesit te cilët nuk do të mund të jenë pjesë e Seminarit të sivjetmë dhe ta shpalosin punën e tyre shkencore që t’i dërgojnë punimet e tyre për botim të revistës së Seminarit 39”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Seminarit.