
Mehmed Xhemajli zgjidhet drejtor i ri Ansamblit "Shota"
Koreografi Mehmed Xhemajli është zgjedhur drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Vendimi është publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas njoftimit, Xhemajli është vlerësuar si kandidati më i suksesshëm pas përfundimit të procedurave të konkursit.
Intervistimi i kandidatëve dhe zgjedhja e drejtorit është bërë nga këshilli drejtues i Ansamblit në përbërje: Visar Munishi, Arbnora Dushi, Sanije Matoshi, Feim Leka dhe Dafina Bacaliu.
Në garë për postin e drejtorit përveç Xhemajlit ishin edhe Labinot Rexhepi dhe Shefqet Gjocaj.
Por, vendimi i këshillit drejtues do të kontestohet nga Shefqet Gjocaj, i cili po kërkon edhe një mandat në krye të Ansamblit ‘Shota”.
Gjocaj ka dyshime për vlerësim jokorrekt nga ana e këshillit drejtues.
“Patjetër që do të ankohem. Është vlerësim dhe vendim skandaloz. Unë praktikisht jam vjedhur nga komisioni (KD)” – ka thënë Gjocaj.
Zgjedhja e drejtorit vjen pas anulimit të konkursit të datës 3.6.2022.
Në qershor 2022 MKRS pat hapur konkursi për zgjedhjen e drejtorit të ri të Ansamblit “Shota”. Në garë për këtë post ishin edhe Mehmed Xhemajli dhe Shefqet Gjocaj.
Dy muaj më pas, më 4.8.2022, ish-këshilli drejtues i Ansamblit në përbërje të anëtarëve: Fahredin Spahija, Xhevdet Gashi, Riza Bytyçi, Visar Munishi dhe Taibe Selmani, zgjodhi Shefqet Gjocajn si kandidatit më të suksesshëm të konkursit.
Por, Xhemajli duke mos u pajtuar me vendimin ushtroi ankesë në Komisionin e ankesave për nëpunësit e shërbimit publik të MKRS-së për parregullsi.
Komisioni e pranoi pjesërisht ankesën e Xhemajlit dhe kërkoi ritestim të kandidatëve (vendimi i datës 26.8.2022). Po, ky vendim nuk u zbatua pasi MKRS shkarkoi këshillin drejtues dhe anuloi konkursin e datës 3.6.2022.
Pak këtij anulimi MKRS rihapi konkursin për drejtor më 27.10.2022.