Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ 2023. Foto: KALLXO.com.

Me nderim për viktimat e tragjedisë së djeshme në Beograd hapet festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’

Me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tragjedisë së djeshme në Beograd ka nisur sonte edicioni i 10-të i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, i cili këtë vit mbahet në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike e shoqërore të Serbisë.

Ceremonia e hapjes së edicionit të sivjetmë të këtij festivali është mbajtur në Kino ABC në Prishtinë.

Kushtrim Koliqi, drejtor i organizatës ‘Integra”, tha se pavarësisht marrëdhënieve jo të mira aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, festivali “Mirëdita, dobar dan!”  po vazhdon rrugëtim e tij me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja mes dy vendeve në fushën e kulturës, medias e shoqërisë civile.

“Ne e kuptojmë se ka çështje politike e historike të rrënjosura thellë që po vazhdojnë të krijojnë ndarje në mes të shoqërive tona, po ne besojmë se shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor mund të jetë një mjet i fuqishëm për promovimin e pajtimit dhe krijimin e një të ardhme paqësore. Duke kujtuar Bekim Fehmiun si frymëzim, ju ftoj të ndiqni festivalin”- tha Koliqi.

Ndërsa, Sofia Todoroviq, drejtoreshë e Nismës së të Rinjve pë të Drejtat e Njeriut në Serbi, tha se tragjedia e djeshme, ku një nxënës vrau 9 persona në Beograd, duhet të shërbejë për të përafruar vlerat e çmueshme.

“Ky rajon është i lidhur me lidhje të pashkëputshme, prandaj sot më shumë se kurdoherë  kemi nevojë të qëndrojmë përkrah njëri-tjetrit. Shfrytëzojeni këtë festival që të pyesim veten se çfarë mund secili prej jush mund të bëjë për të nxitur humanitetin edhe atëherë kur rrethanat na shpien në një rrugët tjetër”-tha Todoreviq, duke i ftuar të pranishmit që pas mbarimit të filmit të bëjnë homazhe në nderim të viktimave të tragjedisë së djeshme në Beograd.

Pas ceremonisë së hapjes është shfaqur filmi “Si mësova të fluturoj” nga Radivoje Andriq.

Gjatë ditëve sa zgjat edicioni i sivjetmë i këtij festivali do të mbahen aktivitete të ndryshme, si shfaqje filmash, promovim librash, koncerte e debate që për fokus kanë marrëdhëniet mes dy popujve.

Edicioni i sivjetmë i  “Mirëdita, dobar dan!” mbahet deri më 6 maj 2023.

Hyrja në të gjitha ngjarjet e festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është falas.

I themeluar në vitin 2014, si ngjarja më unike në Prishtinë e Beograd,  festivali “Mirëdita, dobar dan!”,  qëllim kryesor ka krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes prezantimit të kulturave respektive.

“Mirëdita, dobar dan!” organizohet nga “Integra” (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Fondit për Ballkanin Perëndimor, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Rockefeller Brothers Fund.

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ 2023. Foto: KALLXO.com.

 

Festivali ‘Mirëdita, dobar dan!’ 2023. Foto: KALLXO.com.