Neo_School. Foto: FAcebook/Kino ARMATA

Më 4 nëntor shfaqen filmat e prodhuar nga shkolla joformale, ‘Neo School’

Nga 14 shtator – 16 tetor 2020, Kino ARMATA në kuadër të shkollës jo formale, “Neo school’ organizoi ligjërata me kandidatë të zgjedhur për prodhimin e filmave të shkurtë dokumentarë. 6 kandidatët e përzgjedhur për një muaj ndoqën ligjërata nga emra të njohur të fushës së filmit dhe medias.

Në fund kandidatët pjesëmarrës të kësaj shkolle krijuan filma të shkurtër dokumentar, të cilët do të prezantohen më 4 nëntor 2020 në Kino ARMATA.

“Pas punës intensive teorike dhe zhvillimit të idesë për film, çdo pjesëmarrës ka prodhuar nga një film të shkurtë dokumentar. Ata u sfiduan personalisht dhe në grup me operimin e kamerave, montazhin e filmit, post-produksionin dhe aspektet tjera të procesit të filmbërjes”, thuhet në njoftimin e Kino ARMATA-s në Facebook.

Sipas njoftimit filmbërësit janë: Vlera Azizi, Blend Bytyqi, Redon Kikaj, Auron Myftari, Valmira Rashiti dhe Nol Sahatçiu.

“Krijimi i platformës së edukimit ‘Neo School’ është vazhdim i logjikshëm i punës dyvjeçare të Kino ARMATA në ndërtimin e bazës kreative për krijues, artistë, punëtorë kulturor, etj.”, thuhet në njoftimin e Kino ARMATA-s.

Me ndihmën e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Kino ARMATA është pajisur me kamera, audio pajisje, njësi montazhi, etj., që u mundësoi të gjithë pjesëmarrësve të “Neo School” realizim teknik FALAS të filmit të tyre pa asnjë kërkesë shtesë.

Ligjëruesit e “Neo School” ishin liderë në fushat e tyre të ekspertizës, që siguron se pjesëmarrësit kanë marrë udhëzime relevante për zhvillimin e ideve dhe bartjen e tyre në medium filmik.

“Neo School” përkrahet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Komuna e Prishtinës.