Foto: Kallxo.com

Mbahet mbledhje komemorative për Zejnullah Grudën

Kontributi arsimor, shtetëror dhe intelektual i Zejnullah Grudës është përkujtuar sot gjatë një mbledhje komemorative të mbajtur në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Zejnullah Gruda, ish- profesor universitar dhe funksionar shtetëror ka vdekur dy ditë më parë.

Gjatë kësaj mbledhje komemorative janë dhënë vlerësime për kontributin e gjthanshëm të Grudës.

Avni Puka, dekan i Fakultetit Juridik të UP-së, ka thënë me këtë rast se Gruda ishte njëri nga profesorët e parë dhe intelektualët e shquar shqiptarë në ish- Jugosllavi.

“Ai ka botuar libra e me dhjetëra punime, studime, artikuj e fejtone nga fusha e së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtave të njeriut, historisë, religjionit dhe artit”, ka thënë Puka.

Enver Hasani, profesor universitar, ka thënë se Gruda ishte ndër mbrojtësit kryesor të të drejtave të shqiptare kundër regjimit të Millosheviqit.

“Profesor Gruda ishte ndër të parët që kishe mbështetur idenë e ish-rektorit Statovci për rifillimin e mësimit nëpër Shtëpitë shkolla”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, Gruda ishe një profesor dhe ligjërues briliant i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndërkaq, Arta Gruda, vajza e prof. Grudës tha se familja ndihet e nderuar për qindra mesazhe të marra për kontributin e babait të saj.

“Babai ynë para së gjithash ka qenë një mësues dhe tërë jetën ia ka kushtuar arsimimit të gjeneratave të studentëve. Fati e deshi që të vdiste në Ditën e Mësuesit”, ka thënë ajo.