Mbahen homazhe për ish- drejtorin e Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj 

Me lot në sy duke performuar për disa minuta, para Teatrit Kombëtar, Trupa e Baletit Kombëtar i ka dhënë lamtumirën e fundit ish -drejtorit të Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj, i cili vdiq sot në moshën 66 vjeçare. 

Kjo performancë e balerinëve kosovarë ka hapur ceremoninë e homazheve për ish -drejtorin Brahimaj, të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. 

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, homazhet për të nderuar kontributin e balerinit të gjeneratës së parë të BKK-së, Ahmet Bahimaj janë mbajtur para Teatrit Kombëtar. 

Homazhe para fotografisë së Brahimajt të vendosur në hyrje të TKK-së ka bërë edhe ministrja e Kulturës Vlora Dumoshi e përcjellë nga zyrtarë tjerë të MKRS-së. 

Ministrja  Dumoshi ka vlerësuar kontributin e dhënë  nga ish -drejtori Brahimaj në ringritjen e Baletit Kombëtare dhe shkollimin e gjeneratave të reja të baletit. 

“Këta muaj të fundit keni humbur shumë emra të njohur të kulturës sonë Sot, humbëm njeriun që dha shumë kontribut për baletin, shkollimin e balerinëve të rinj. Do isha shumë e nderuar që së bashku me ish -drejtorin Brahimaj të vendosnin gurthemelimn për ndërtimin e objektit të Operës dhe Baleti”, ka thënë Dumoshi. 

Për pak minuta ministrja Dumoshi ka vizituar edhe Trupën e Baletit së cilës i ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Brahimajt. 

Varrimi i  Brahimajt bëhet sot në ora 16:00 në vendlindje e tij në  Novosellë të Pejës.