Mashtrimet e Kadri Veselit, njerëzit e PDK-së vazhdojnë të punësohen

Ajet Leci shihet në një lokal së bashku me kryetarin e PDK-së në Drenas Sejdi Hoxhën, në një foto të publikuar me 19 gusht. Dy ditë më vonë, 21 gusht 2019, Leci është zgjedhur drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës në mënyrë kundërthënëse.

Leci në të kaluarën ka qenë pjesë e strukturave drejtuese të PDK-së në Drenas. Zgjedhja e tij në krye të Muzeut është bërë në kohën kur kryetari i PDK-së është duke folur për luftim të korrupsionit dhe nepotizmit.

Ajet Leci nga Gradica e Drenasit është zgjedhur të mërkurën drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës nga Këshilli Drejtues i këtij institucioni, përkundër që kishte marrë më se paku pikë në testin më shkrim.

BIRN e ka monitoruar konkursin për drejtor të Muzeut. Ajet Leci ishte në mesin e nëntë kandidatëve të cilët më 16 gusht 2019 iu nënshtruan testimit më shkrim, dhe nga 5 kandidatët që u kualifikuan për intervistim me gojë, ai doli i fundit në listë. Ai kishte marrë vetëm 52 pikë, apo vetëm dy pikë më shumë se pragu minimal, duke mbetur me afërsisht 11 pikë përkatësisht 10 nga kandidati i parë përkatësisht i dyti që dolën nga testimi me shkrim.

Aktualisht Leci figuron të jetë profesor në Komunën e Drenasit, por në të kaluarën ai ishte pjesë e kryesisë së PDK-së në Drenas.

Ndërsa pak ditë më parë ai është fotografuar me kryetarin e degës së PDK-së  në Drenas, të postuara edhe llogarinë e tij, në facebook.

Çuditërisht, vetëm pak kohë pasi komisioni (Këshilli Drejtues) ka mbyllur procesin e zgjedhjes së drejtorit të ardhshëm të MKK-së, ku Leci doli më i poentuar, ky i fundi e ka larguar foto nga profili i tij në Facebook. E në orët e mbrëmjes, ai e ka mbyllur tërsisht profilin e tij në ‘Facebook’.

Por, KALLXO.com, ka sigurua fotot ku Leci shihet me kryetarin e PDK-së së Drenasit, Sejdi Hoxha, dhe profilin e Lecit në facebook.

Kallxo.com ka provuar disa herë kontaktin me Lecin. Pas disa tentimeve, në telefonin e tij është lajmëruar një familjar duke thënë se “thirrni mbas dy ore” për të folur me Lecin. KALLXO.com ka prit deri në orët e mbrëmjes për ta kontaktuar edhe njeherë Lecin, ashtu sic na është sugjeruar nga familjarja e tij. Telefoni i tij ka qenë i ndaluar dhe ai nuk i është përgjigjur thirrjeve të KALLXO.com.

Ndërsa Sejdi Hoxha, kryetar i degës së PDK-së në Drenas ka pohuar se Leci më herët ishe në strukturat e PDK-së, por se tani nuk i kujtohet si emër.

“Ma herët po, por tash s’më kujtohet si emër me të thanë të drejtën”, ka thënë Hoxha.

Kur Kallxo.com i ka kujtuar Hoxhës një foto ku ai shihet së bashku me Leci të publikuar dy ditë më herët, Hoxhaj ka thënë se është fotografuar me shumë dhe së në takimet politikë marrin pjese qindra njerëz.

Ndërsa i pyetur për afërsinë tij me Lecin dhe nëse PDK ka ndikuar në zgjedhjen e tij në kryer të MKK-së, Hoxha ka thënë se i vejnë mirë që është zgjedhur në krye të MKK-së, pasi e një si djalë të mirë.

“Jo, jo nuk e njoh. E njoh pak si figurë, po nuk e njoh mirë në aspektin politik”, ka thënë në fillim Hoxha. E kur është pyetur nëse ka ndiku në zgjedhjen e tij ai ka thënë se “Prej teje po marrë vesh, djalë i mirë është ai, ai është vëllai i dr. Lecit. Si familje e njoh, jo si djalë. Prej teje po marrë vesh që u zgjedhë drejtor i MKK-së.”

Hoxha ka mohuar që Leci ta ketë fituar pozitën e drejtorit të MKK me lidhje politike, duke shtuar se nuk ka ndonjë kontakt në aspektin politik me Lecin, edhepse ai më herët ishte në strukturat e PDK-së në Drenas.

“Dëgjo aty në Drenicë krejt me PDK-në janë”, ka potencuar Sejdi Hoxha, kryetar i Degës së PDK-së në Drenas.

Ish-zyrtari i PDK-së ka arritur të përmbysë rezultatin gjatë intervistimit, pasi Leci ka marrë më së shumti pikë nga komisioni intervistues duke lënë prapa 4 kandidatët e tjerë.

Përmes një komunikate të lëshuar për media Këshilli Drejtues i MKK-së ka njoftuar se pas një procesi të gjatë vlerësimi, ku të gjithë kandidatët iu kanë nënshtruar testit me shkrim dhe intervistës me gojë,  në mbledhjen e datës 21.08.2019 ka zgjedhur Z. Ajet Leci si Drejtor të ri të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ai do ta udhëheq këtë institucion për katër vitet e ardhshme.

“Kandidati Ajet Leci i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e Drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ai ka dhënë dëshmi bindëse se mund ta drejtoj këtë institucionin në përmbushjen e objektivave profesionale që lidhën me fushëveprimtarinë e këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e Këshillit Drejtues për  zgjedhjen e drejtorit të ri të muzeut.

Konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës ishte hapur më 27. 05 2019, i brendshëm, po ishte anuluat më 14. 06.2019 për shkak të mos plotësimit të kritereve të konkursit.

Më 27.062019, MKRS e kishte rishpall konkursi për Drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Më 16.07.2019 MKRS e zgjat afatin për të rritur balancimin gjinore dhe etnik. BIRN e ka monitoruar konkursin për drejtor të Muzeut Kombëtarë të Kosovës.

Muzeu i Kosovës që nga korriku i 2018 drejtohet nga ushtrues detyre. Aktualisht këtë post e kryen Alisa Gojani-Berisha.