Kthimi i Karl Majit. Foto: Urim Krasniqi

Masat dyjavore kufizojnë funksionimin e institucioneve kulturore

Vendimi i fundit i Qeverisë për masat e reja antiCOVID-19 ka kufizuar në masë të madhe funksionimin e institucioneve kulturore.

Për dy javë sipas vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës institucionet lejohen të punojnë me reduktimet të mëdha, duke shfrytëzuar vetëm 20 %  të hapësirës gjatë punës së tyre.

Sipas këtij vendimi institucionet kulturore nuk lejohen të punojnë pas orë 21:00.

Kufizime vlejnë për institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës Rinisë e Sporteve dhe të komunave.

“Institucionet vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonisë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë nga ora 5:00 deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 20% të hapësirës/ sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime)”, thuhet në pikën 34, të vendimit të Qervisë për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Pavarësisht kufizimeve, vendimi lejon që institucionet të vazhdojnë funksionimin sipas planifikimeve të bëra.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar ka thënë për Kallxo.com se Baleti Kombëtar i Kosovës do të vazhdojë punën, sipas masave të reja.

“Premiera dhe repriza e parë do të mbahet me 20 % të audiencës, që i bie diku 60 persona”, ka thënë Musolli.

Më 15 prill 2021, BKK-ja planifikon të dhënien e premierës së baletit, “Entre dos Aguas & Troy Game”.

Për shkak të përkeqësimit të situatës me Coronavirus, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të ashpërsojë masat për parandalimin e pandemisë të cilat do të nisin të zbatohen nga dita e nesërme, 7 prill  dhe do të zgjasin deri më 18 prill 2021.