Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

MAP: MKRS kërkoi vet që të nisë zhvendosja e saj nga objekti aktual

Mëngjesin e së shtunës së shkuar punëtorët sindikalistë të Ministrisë së Kulturës bllokuan tentimin për zhvendosjen e materialeve dhe gjësendeve tjera nga kabineti i ministrit të MKRS-së, nga një kompani e kontraktuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP).

MAP në një përgjigje për Kallxo.com ka thënë se ka qenë vet MKRS ajo që ka kërkuar që të shtunën (7 dhetor 2019) në ora 09:00 të bëhet zhvendosja nga objekti aktual.

Por, rezistenca e sindikalistëve të MKRS-së bëri që materialet të kthehen në vend dhe të ndërpritet largimi i tyre nga kabineti i ministrit.

Këshilli i protestës së punëtorëve të MKRS-së tentimin për zhvendosjen e MKRS nga objekti aktual e konsideron të paligjshëm dhe kërkoi nga organet kompetente për t`u marrë me rastin. Sipas sindikalistëve kërkesa është bërë nga minstri Kujtim Gashi, duke injoruar procedurat e brendshme administrative të MKRS-së.

MKRS dhe MAP kanë një marrëveshje që e pezullon zhvendosjen e stafit të ministrisë e cila edhe i dha fund protestës së punëtorëve të MKRS që kundërshtonin zhvendosjen e stafit të ministrisë në një objekt privat.

Drejtuesi i sindikalistëve të MKRS, Labinot Berisha, ka thënë për Kallxo.com se janë të vendosur të kundërshtojnë veprime të tilla edhe do të jenë në koordinim të plotë me zyrtarë të MKRS.

“Tentime të tilla të paligjshme për zhvendosjen e materialeve të MKRS, sidomos pa pasur edhe mbikëqyrjen e zyrtarëve përgjegjës rrezikon dokumente dhe materiale zyrtare të rëndësisë së lartë. Ne jemi të vendosur në kërkesat tona dhe nëse është e nevojshme do të përshkallëzojmë protestën, gjithmonë në koordinim të plotë në mes të këshillit të protestës dhe stafit të MKRS”, ka thënë Berisha, për Kalllxo.com.

Por, MAP në një përgjigje për Kallxo.com pohon se ka qenë vet MKRS që ka kërkuar që zhvendosja të nisë të shtunë që shkoi.

“MKRS, përkatësisht ministri ka bëre kërkesë që të fillojmë me bartjen e materialeve dhe inventarit të kabinetit të shtunën. Ne vetëm e kemi zbatuar kërkesën e tyre, sepse jemi përgjegjës për ketë. Materialet nuk barten pa prezencën e zyrtarëve te MKRS”, ka thënë Artan Berisha, Sekretar i Përgjithshëm në MAP.

Sekretari Berisha ka thënë se në bazë të marrëveshjes së arritur muajin e kaluar për pezullimin përkohshëm të zhvendosjes, MKRS ka marrë përsipër kohën dhe mënyrën zhvendosjes nga objekti aktual.

MKRS nuk ka kthyer përgjigje në interesimin e Kallxo.com se kush kishte urdhëruar që zhvendosja të nisë të shtunë në mëngjes, deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Por, në marrëveshjen e arritur më 14 nëntor 2019, MKRS ka marrë përgjegjësitë për kohën dhe mënyrë e zhvendosjes nga objekti.

“MKRS i ka kërkuar MAP  pezullimin e përkohshëm të zhvendosjes, kërkesë kjo që është pranuar nga MAP-i, e cila çështjen e kohës dhe mënyrën e zhvendosjes e ka lënë në përgjegjësi të menaxhmentit të MKRS -së”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e MKRS, të 14.11.2019.

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës po kundërshtojnë vendimin për zhvendosjen e stafit të ministrisë në një objekt privat. Protestën e tyre shumë ditore e ndërprenë vetëm pasi MKRS dhe MAP arritën marrëveshjen për pezullim të përkohshëm të zhvendosjes së MKRS nga objekti aktual.