Pamje nga restaurimi i Shatërvanit. Foto: KALLXO.com

Manaj: Shatërvani i Xhamisë së Çarshisë nuk është dëmtuar, po restaurohet

Shatërvani i Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë po restaurohet në kuadër të restaurimit që është duke iu bërë kësaj xhamie nga TIKA.

Për këtë arsye edhe pllakat e mermerta të shatërvanit janë hequr dhe pritet restaurimi i tyre nga një ekip profesionistësh.

Ditë më parë në mediat social u raportua për dëmtim të qëllimshëm të shatërvanit.

 

Arkitekti Avni Manaj, punëtor në Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve dhe kryesues  i ekipit mbikëqyrës  të ndërhyrjeve  restauruese dhe konservuese në Xhaminë e Çarshisë, ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se pllakat e mermerta të shatërvanit janë vendosur në depon e ndërtuar në oborrin e xhamisë dhe pritet restaurimi i tyre.

“Pllakat nga mermeri të shatërvanit janë deponuar në depon e ndërtuar në oborrin e xhamisë dhe jemi në pritje të arritjes së ekipit profesional nga Turqia për trajtimin profesional të pllakave të shatërvanit”, ka thënë Manaj për KALLXO.com.

Sipas tij, në kuadër të projektit të restaurimit të Xhamisë së Çarshisë është paraparë edhe trajtimi i shatërvanit në oborrin e xhamisë.

Manaj thotë se menjëherë pas trajtimit adekuat dhe profesional pllakat e shatërvanit do të kthehen në vendin e tyre. Sipas tij, projekti i restaurimit të kësaj xhamie është aprovuar nga Komisioni profesional shqyrtues në Institutin e Mbrojtjes së Monumenteve.

Shatërvani i Xhamisë së Çarshisë dhe Muzeut të Kosovës, i ndërtuar shekuj më parë është ende funksional.

Restaurimi i Xhamisë së Çarshisë është duke u bërë nga TIKA, në bazë të një memorandumi mirëkuptimi i të arritur në mes TIKA-s, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkësisë Islame.