Luftimi i pandemisë së coronavirusit në kohën moderne me metodat mesjetare

Vetëm pak muaj më parë askush nuk do të besonte se një virus do të paralizonte jetën normale në gjithë botën, sikurse edhe në Kosovë.

Ndërsa për ta luftuar virusin do të përdoren metoda mesjetare, sikurse Karantina, mbulimi i një pjese të fytyrës dhe moskontakti me të infektuarit.

Që nga 13 marsi i këtij viti, Kosova është duke u përballur me virusin vdekjeprurës COVID-19. Me rekomandimin edhe të OBSH, institucionet kanë marrë masa të ashpra për ta ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Në mungesë të një vaksine për CoVid-19, karantinimi po zbatohet si masa më efikase për parandalimin e sëmundjes. Disa qytete, duke përfshirë edhe Prishtinën tashmë janë futur në karantinë. Ndërsa janë marrë masa për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Gjatë historisë popullsia e Kosovës ka ndarë fatin e saj me atë të vendeve europiane nga goditjet e pandemive.  Sëmundjet ngjitëse vdekjeprurëse të ardhura kryesisht nga Azia në Europë, ishin përhapur edhe në territorin e sotëm të Kosovës.

Historianët kosovarë tregojnë se në periudha të ndryshme historike sëmundjet ngjitëse-bakteriale, si murtaja, tifoja, variola apo sëmundja e lisë, etj., kishin bërë kërdinë në Kosovës, duke pakësuar dukshëm numrin e popullsisë. Edhe pse sipas historianëve, në pjesën më të madhe mungojë të dhënat për numrin e viktimave.

Historiani Enver Rexha, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se gjatë historisë Kosova është prekur nga sëmundjet si: Mortaja – vdekja e zezë (Yersina Pestis) e quajtur popullore edhe Kuga, pastaj Kolera, Lebroza (lepra), tifoja e Variola Aera, që siç ka thënë ai në gjuhën popullore i njihen si: Lia e qenit, Lia e ujit, Lia e dhenëve etj., tuberkulozi, malaria, duke përfshirë edhe shumë gripin sezonal.

Sipas tij, të dhënat arkeologjike dëshmojë ekzistencën e shumicës së këtyre sëmundjeve nga antikiteti.

“Gjatë historisë njihen sëmundjet si: Mortaja e Athinës (me lloje) në histori daton nga viti 430 para erës sonë. Thuhet për mbi 100,000,00 të vdekur; Mortaja e Antoninit, Romë, vitet 165- 180 të erës sonë, rreth 5 milionë njerëz të vdekur; Mortaja në Perandorinë Romake, shek. 2-4, s’ ka statistika, por shumë vdekjeprurëse; Mortaja e Justinianit (Perandoria Bizantine) gjatë viteve 540-750 me mbi 30 milionë njerëz të vdekur; Lebroza në Ballkan shek. IX, vazhdon ndër shekuj deri në shek.  XV, ku ka miliona të vdekur.  Në shek. XIV Deçani është vendi i karantinës”, ka thënë historiani Rexha.

Ndërsa historiani Memli Krasniqi ka thënë për Kallxo.com se nga të parët që do të bënte fjalë për përhapjen e murtajës në viset ballkanike të banuara me shqiptarë, ishte Pjetër Mazreku, i dërguar i Papatit, i cili në vitin 1623-24 do të vizitonte Ballkanin.

Sipas tij, Mazreku bën me dije se murtaja nga Kina, India duke ndjekur rrugët tregtare kishte arritur në Europë dhe zonat ballkanike të Perandorisë Osmane, duke prekur edhe popullsinë e Prishtinës.

“Murtajës nuk i kishte shpëtuar as Prizreni, qytet që sipas Kryepeshkopit të Tivarit, Gjergj Bardhit, kishte 40 shtëpi katolike, 80 ortodokse dhe 3000 shtëpi myslimane. Më 29 tetor 1641, Kryepeshkopi informonte Vatikanin se një vit më parë popullsia e qytetit ishte zvogëluar ndjeshëm pasi murtaja kishte marrë jetën e shumë banorëve. Po sipas të njëjtit burim, epidemia kishte prekur edhe Shkupin, Janjevën dhe Novobërdën”.

Sipas Krasniqit, më 26 tetor 1689 kur ushtria Austro-hungareze hyri në Shkup atë e gjeti të zbrazur, për shkak se ushtria osmane dhe banorët ishin larguar edhe nga frika e epidemisë së murtajës.

Kurse, Agron Islami, historian në një prononcim për Kallox.com ka thënë se gjatë mesjetës e më vonë vizitorë të ndryshëm japin informacione identifikuese për epidemitë në Kosovë.

“Sikur, vjen fjala në vitet e 70-ta te shek. 17-të, vizitori Edward Brown e lëshoi bujtinën e tij në Prishtine pasi që aty kishte hasur në një person të prekur nga murtaja, siç shkruan ai. Ndërkaq në shek. XIX–të të dhënat për sëmundjet epidemike janë më të detajuara, bazuar në dokumentet zyrtare osmane, evidentohen apo përmenden dy sëmundje epidemike (ngjitëse) me të cilat ishte përballur edhe rajoni i Kosovës; Sëmundja e Lules, e cila në literaturë njihet si Variola apo sëmundja e Lisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në vitin 1890 na dokumentohet se një pjesë e burgut të Prishtinës ishte shndërruar në spital karantinë për të prekurit me sëmundjen e Lisë, ndërsa trajtimi i kësaj sëmundje ishte bërë me aparat avullues të kohës, si dhe me vaksinim.

“Në lidhje me këtë ngjarje nga dokumentet kuptojmë se në vitin 1896 ishte bërë një kërkesë zyrtare nga organet e Prishtinës drejtuar Stambollit për dërgimin e pakove të vaksinave kundër sëmundjes së Lisë. Poashtu në vitin 1903  është dokumentuar edhe dërgimi i një aparati avullues nga Stambolli për Spitalin e Prishtinës për trajtimin e kësaj sëmundje”, ka thënë ai.

Për shkak të luftërave të vazhdueshme, moszhvillimit ekonomik, varfërisë popullsia e Kosovës kishe vuajtur nga sëmundjet ngjitëse vdekjeprurëse deri në vitet 1972.

Rasti i fundi që Kosova u përfshi nga një sëmundje ngjitës ishte viti 1972. Një pelegrin nga Meka solli sëmundjen Variola Vera, që zgjati vetëm disa muaj falë ekzistimit të vaksinës kundër kësaj sëmundje.