Libraria ‘Kandi i librit’. Foto: KALLXO.com.

Libraria ‘Kandi i librit’ në Gjakovë, e veçanta e një shtëpie të librit

Që nga korriku i këtij viti, Gjakova është bërë edhe me një librari moderne. E hapur në pjesën më të frekuentuar të qytetit, në zonën historike, libraria “Kandi i librit”, ofron për lexuesit botimet më të reja.

Pozita e saj në kënd të Çarshisë së Madhe, dizajni, interieri e mbi të gjitha, fondi librar e bëjnë “Kandi i librit” librarinë më të veçantë gjakovare.

Zhvillimet teknologjike dhe rrjetet sociale po e rrezikojnë arkivimin e librit fizik, duke e mbajtur atë larg e më larg nga lexuesit.

Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar pronaren e librarisë “Kandi i librit”, Teuta Lama-Hoda, të sfidojë interesimin në rënie të lexuesve dhe të hapë librarinë më të veçantë në Gjakovë.

Foto: Teuta Lama- Hoda

Në një bisedë për KALLXO.com, Lama-Hoda ka thënë se qëllimi primar i librarisë “Kandi i librit”, është nxitja e leximit.

“Me e promovu librin si vlerë të madhe në kohën kur ka marrë hov përdorimi i teknologjisë, gjegjësisht i rrjeteve sociale, që është humbje e madhe e kohës se vlefshme”, ka thënë ajo.

Lama-Hoda ka thënë se në librarinë “Kandi i librit” lexuesit mund të gjejnë botimet që nga letërsia e Rilindjes e deri tek autorët e letërsisë bashkëkohore shqiptare, duke përfshirë edhe botimet e kohëve të fundit.

“Gjithashtu ofrojmë edhe botimet nga letërsia botërore duke filluar nga kryeveprat e autorëve klasik e deri tek autorët e sotëm. Po kemi edhe literaturë për teoritë sociologjike, filozofi, nga fusha e historisë, mjekësisë, dizajnit, modës, etj”, ka thënë ajo.

Lama-Hoda ka thënë se pavarësisht rënies së interesimit për librin, ende ka një kategori lexuesish që janë të mishëruar me librin dhe leximin.

Stafi librarisë “Kandi i librit”, përveç shitjes së librit, planifikon edhe shumë aktivitete.

“Qëllimi ynë është ta nxisim shoqërinë që me aktivitete të ndryshme letrare e kulturore ta promovojmë vlerën e librit te gjeneratat e reja, sidomos duke bashkëpunuar edhe me artistët e rinj”, ka thënë pronarja e librarisë “Kandi i Librit”, Teuta Lama- Hoda.

Libraria ‘Kandi i librit’. Foto: KALLXO.com
Libraria ‘Kandi i librit’. Foto: KALLXO.com
Libraria ‘Kandi i librit’. Foto: KALLXO.com
Libraria ‘Kandi i librit’. Foto: KALLXO.com
Libraria ‘Kandi i librit’. Foto: KALLXO.com