Kujtimet e fëmijëve gjatë luftës ekspozohen në Galerinë Kombëtare (FOTO)

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës po qëndron e hapur ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës (War Child Museum) nga Sarajeva.

Kjo ekspozitë është hapur të shtunën ndërsa do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit prill (30 prill 2022) në Galerinë Kombëtare.

Muzeu i Fëmijërisë së Luftës është një muze unik dhe tërësisht i është kushtuar përvojave të atyre, fëmijëria e të cilëve ishte prekur nga lufta.

Në këtë ekspozitë, e cila për herë të parë hapet në Kosovë, janë ekspozuar dhjetëra eksponate përmes së cilave prezantohen përjetimet e fëmijëve në luftë dhe për luftën.

Pjesë e këtyre rrëfimeve janë historitë e Reneas, Blinorit, Besës, e fëmijëve të tjerë që kanë përjetuar luftën në Kosovë. Por edhe përvojat personale, provat, objektet të fëmijëve që përjetuan luftën në Kroaci, Serbi, Ukrainë, Siri, Afganistan dhe Palestinë.

Në hapjen e kësaj espozite, drejtoresha ekzekutive e WCM, Amina Krvavac, iu drejtua të pranishmëv duke theksuar se përvojat personale të paraqitura në ekspozitë tregojnë për luftën nga këndvështrimi i fëmijëve, por gjithashtu nënvizojnë rëndësinë e ruajtjes së paqes.

“Këtu në rajonin tonë, puna e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës fiton rëndësi shtesë në lidhje me proceset e drejtësisë tranzicionale. Pasi gjykatat dhe gjykatat ndërkombëtare të përmbushin rolin e tyre, institucionet kulturore janë ato që bartin potencialin dhe detyrimin për të ndihmuar shoqëritë të pranojnë dhe të përballen me të kaluarën e vështirë”, tha Krvavac.

Ekspozita është realizuar në partneritet me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Kosovës, Forumin ZFD në Kosovë, Artida LD SHPK dhe BE-në në Kosovë.

Pamje nga ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë së Luftës. Foto: KALLXO.com.