Kryeministri Kurti për Leze Qenën: Vdiq aktorja që jetën ia fali artit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, ka thënë përmes një postimi në Facebook se vdekja e aktores Leze Qena është një humbje e madhe.

Kurti ka porositur politikanë që t’ i mbështesin dhe respektojnë artistët sa ata janë gjallë.

Kur artistët vdesin, ka thënë kryeministri Kurti në postimin tij, pikëllohen të gjithë, por dashurinë dhe respektin artistëve duhet dhënë gjatë kohës që janë gjallë, sidomos politikanët.

“Dëshiroj të ngushëlloj familjen dhe dashamirësit e aktores së shquar të Kosovës, Leze Qenës, për humbjen e madhe. Sot në orët e mëngjesit aktorja e dashur për publikun tonë, zonja Leze Qena, ndërroi jetë.  Ajo gjatë jetës së saj ka patur një repertor të gjerë teatror, dhe ka luajtur shumë role në kinema e televizion. Një jetë kushtuar artit, është një jetë kushtuar publikut. Kur artistët vdesin, pikëllohemi të gjithë. Por dashurinë dhe respektin artistëve duhet t’ua japim gjatë kohës që janë gjallë, sidomos ne politikanët. I bashkohem përkujtimit të zonjës Leze Qena, i cili në kushtet e pandemisë, fatkeqësisht do të duhet të zhvillohet nga shtëpitë e banesat tona”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Aktorja Leze Qena ka vdekur sot në moshën 85 vjeçare në QKUK, deri sa ishte në mjekim intensiv.