Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Kritikohen emërimet partiake në Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Emërimi i Shkurte Aliut si anëtare e Këshilli Drejtues të Teatrit Kombëtarë të Kosovës, po shihet si rrezik për politizim të këtij teatri dhe tendencë për ta emëruar në krye të tij një person të afër me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

Të premten e kaluar, Ministria e Kulturës njoftoi se ministri Hajrulla Çeku, ka emëruar Këshillin e ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Anëtare e këtij këshilli është emëruar edhe ish- kandidatja e LVV-së për deputet, regjisorja Shkurte Aliu.

Emërimi i saj është kundërshtuar nga një pjesë e komunitetit kulturor, duke u konsideruar si një veprim për kontrollin e institucioneve të pavarura nga LVV-ja.

Kujtim Gashi, ish – ministër i Kulturës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për Kallxo.com se me emërimin e anëtarëve dhe njerëzve të afër me LVV-në, po tregohet një tendencë që në krye të Teatrit Kombëtar të vijë një person i afërt me LVV-në.

Sipas tij, me këtë veprim LVV-ja jo që po i depolitizon institucionet, por po e bënë atë që asnjëherë nuk ka ndodhur që nga pas lufta, siç ka thënë Gashi, “një politizim total i institucioneve të kulturës”.

“Është e vërtetë që edhe në të kaluarën ka pasur raste kur, aty – këtu është emëruar ndonjë ekspert që ka qenë i afërt me politikën, por në asnjë rrethanë nuk ka ndodhë me qenë dy – tre e katër anëtarë të afërt me një subjekt politik në ndonjë bord dhe kjo tregon tendencën e qartë dhe të hapur se qëllimi i vetëm i këtij subjekti politik është vendosja e një njeriu të afërt me LVV në krye të TKK-së”, ka thënë ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi.

Ndërsa, regjisori Agim Selimi ka thënë se emërimi i personalit të afërm me partitë politike, apo që janë pjesë aktive e ndonjë partie, e dëmton atë institucion.

“Nuk është veprim i mirë emërimi i personave me të kaluar politike nëpër organet drejtuese të institucioneve, por edhe është me rëndësi me qenë profesionist të fushës”, ka thënë ai.

Kurse, aktori Vedat Haxhiislami është shprehur se ka mbetur i befasuar me emërimin e personave në Këshillin e ri Drejtues të TKK-së.

“Të jemi të qartë, nuk ka asgjë personale me kolegët që janë zgjedhur në Këshillin Drejtues, bile ka nga ata me të cilët kam luajtur në shfaqje e kam marrëdhënie të mira, por jam shumë i zhgënjyer me mënyrën e përzgjedhjes partiake e edhe disave që nuk e dinë ose nuk munden me qenë transparent me gjendjen e TKK-së”, ka thënë ai.

As MKRS e as Shkurte Aliu, deri në publikimin e artikullit, nuk i janë përgjigjur interesimit të Kallxo.com për të marrë një opinion rreth kundërshtimeve pas emërimit të KD-së së ri të TKK-së.