Kreshnik Musolli: Mos furnizimi me materiale rrezikon premierën e baletit

Baleti Kombëtar i Kosovës do të sjellë këtë muaj premierën e baletit, “Tanzminiaturen” & “Tangata”. Premiera e kësaj shfaqje është planifikuar të shfaqet më 21 tetor 2021, në skenën e Teatrit Kombëtar.

Por, mënyra e furnizimit me materiale të nevojshme për përgatitjen e premierës, po përcillet me probleme të cilat rrezikojnë procesin e përgatitjes së premierës.

Që nga 2018 BKK funksionon pa xhirollogari dhe gjithë shërbimet, pagesat e furnizimet me materiale kalojnë përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Tanzminiaturen” & “Tangata” është një shfaqje, dy pjesëshe, e krijuar nga koreografi Ricardo Fernando dhe asistentja e tij, Christine Ceconello.

Kreshnik Musolli, zëvendësues i drejtorit të BKK-së ka thënë për KALLXO.com, se shfaqja përbehet nga dy pjesë, “Tanzminiaturen” e cila është me muzikë të J. S. Bach që ka në vete lëvizje neoklasike shumë elegante dhe “Tangata”, me muzikë të Astor Piazzolla e lëvizje me elemente të tangos, por të modernizuara.

Situata me COVID-19 dhe mënyra e furnizimit të BKK-së me materialet dhe shërbimet e nevojshme, janë problemet të cilat po përcjellin BKK-në realizimin e premierës.

“Janë dhe 17 ditë deri në premiere e ne ende nuk e kemi marrë materialin për kostume e as për skenografi. Me të vërtetë kjo qasje nga ana e MKRS nuk përkon me një institucion të nivelit të tillë sepse nuk po krijojnë aspak kushte punë për institucionet vartëse, siç jemi ne”, ka thënë Musolli.

Ai ka ngritur alarmin se në mungesë të këtyre materialeve mund do të dështojë i gjithë projekti.

“U bëj thirrje që ta trajtojnë me urgjence këtë çështje pasi që në mungesë të këtyre materialeve do të dështojë i gjithë projekti dhe kjo do të ndikonte negativisht në reputacionin e Baletit Kombëtar të Kosovës, por edhe të shtetit tonë”, ka thënë Musolli.

 

Pamje nga provat në Baletin Kombëtar. Foto: KALLXO.com
Pamje nga provat në Baletin Kombëtar. Foto: KALLXO.com