Kosova prezantohet me fusnotë në Festivalin e Filmit në Sidnei

 

 

Filmi “Zana”  është përzgjedhur një ndër dhjetë filmat europian nga regjisoret gra nga Festivali i Filmit në Sidnei (SFF) dhe European Film Promotion (EFP), njofton Qendra Kinematografike e Kosovës. Por, në  prezantimin e dhjetë filmave në faqen zyrtare të European Film Promotion mohohet shtetësia e Kosovës duke vendosur fusnotën mbi emrin e Kosovës.

Filmi nën regjinë e Antoneta Kastratit do të shfaqet në kuadër të programit ‘Europe! Voices of Women in Film’.

Filmat e përzgjedhur europian në këtë program do të shfaqen bashkë me filmat më të ri australian në kuadër të edicionit të 67-të të filmit në Sidnei.

“Së pari, është nder i madh me qenë pjesë e programit të veçantë EUROPE! VOICES OF WOMEN IN FILM, i cili përfaqëson zëra të ri të grave regjisore nga Evropa në Sydney Film Festival, shkruan Antoneta Kastrati”, thuhet në njoftimin e QKK-së. Sipas saj kjo dëshmon që filmat nga Kosova vazhdojnë rrugën e suksesit në skenën ndërkombëtare.

“Filmat e përzgjedhur nga 10 shtete janë: A Perfectly Normal Family nga Malou Reymann (Danimarkë), A Year Full of Drama nga Marta Pulk (Estoni, dokumentar), Charter nga Amanda Kernell (Suedi, Danimarkë dhe Norvegji), Force of Habit nga Kirsikka Saari, Elli Toivoniemi, Anna Paavilainen, Alli Haapasalo, Reetta Aalto, Jenni Toivoniemi and Miia Tervo (Finlandë), Kids Run nga Barbara Ott (Gjermani), Lessons of Love nga Malgorzata Goliszeëska dhe  Kasia Mateja (Poloni, dokumentar) My Little Sister nga Stéphanie Chuat and Véronique Reymond (Zvicër), Sea Fever nga Neasa Hardiman (Irlandë, Suedi, Belgjikë, Mbretëria e Bashkuar), They Call Me Babu nga Sandra Beerends (Holandë, dokumenar) dhe Zana nga Antoneta Kastrati (Kosovo*, Shqipëri)”, thuhet në njoftimin e European Film Promotion.

Edicioni virtual i festivalit dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahen nga data 10 deri me 21 qershor 2020.

Festivali i Filmit në Sidnei është një ngjarje  në kalendarin kulturor të New South Wales dhe është një nga festivalet e filmit më me zë në botë.