Skenë nga filmi ‘Luaneshat e Kodrës’. Foto: QKK

Kosova do të jetë pjesë e festivalit të Kanës me filmin ‘Luaneshat e Kodrës’

Filmi “Luaneshat e Kodrës” me regji të Luana Bajrami do të shfaqet premierë në edicione e radhës së festivalit të filmit në Kanë të Francës.

Premiera e këtij filmi do të shfaqet në kuadër të programit “Director’s Fortnight” të këtij festivali.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se “Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës.

“Diku në një fshat të vogël në Kosovë, tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë. Ky është rrugëtimi që na e sjellë Luana Bajrami përmes filmit të parë të saj. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Ndërkaq, regjisorja e filmit franko-kosovarja Luana Bajrami ka thënë se është ndër për të që ta sjell filmin “Luaneshat e Kodrës” në Festivalin e Kanës.

“Jam shumë e gëzuar për njohjen dhe entuziazmin që veç i është dhënë filmit. Sidomos pasi që është filmi im i parë me metrazh të gjatë që merret me tema që janë shumë të rëndësishme për mua: rinia dhe dëshira e rinisë për liri”, është shprehur regjisorja Luana Bajrami.

Në rolet kryesore në film luajnë: Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luana Bajrami.

“Luaneshat e Kodrës” është bashkëprodhim i Kosovës dhe Francës, me producente Valbona Rrahmanin dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga “OrëZanë Films” (Kosovë), “Vents Contraires” (Francë), dhe “Acajou Productions” (Francë).