Pavijoni i Kosovës në Kanë, Foto: QKK

Kosova dhe Shqipëria me pavijon të përbashkët në Festivalin e Kanës

Kosova dhe Shqipëria kanë hapur pavijonin e përbashkët në kuadër të edicionit të 75-të të filmit në Kanë të Francës.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se përmes pavijonit, për të 11-në herë po prezantohet në tregun e filmit “Marche du Film”, në këtë festival.

QKK bën të ditur se të shtunën, me 21 maj, në kuadër të Festivalit të Kanës, Kosova do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore për bashkëprodhim kinematografik me Francën.

“Kjo marrëveshje përveç që do të zyrtarizojë bashkëprodhimet filmike Kosovë -Francë, do të hapë rrugën edhe për bashkëpunim në mes të QKK-së dhe Qendrës së Filmit Francez (CNC)”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Këtë vit, në Kanë nuk është asnjë film nga Kosova. Vitin që shkoi filmi “Pa vend” i Saimir Karahodës, garoi për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmit të shkurtër, kurse filmi “Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami u shfaq në kuadër të programit “Directors’ Fortnight” të këtij festivali.