Konjufca i gëzohet sukseseve të kineastëve kosovarë

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka përshëndetur sukseset e kinastëve kosovarë në arenën ndërkombëtare. 

Kryeparlamentari Konjufca, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se krahas sukseseve madhore olimpike të vashave kosovare të arta kosovare, edhe kinematografia e Kosovës po e vazhdon rrugëtimin me të arritura kulmore botërore.    

“Nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Scottsdale të Arizonës sapo na erdhi lajmi i madh. Ylli i kinematografisë sonë, Yllka Gashi, është stolisur me çmimin prestigjioz si aktorja më e mirë në rolin kryesor në filmin ‘Zgjoi’, në edicionin e sivjetmë të këtij Festivali. Ky është çmimi i tretë për aktoren tonë me renome ndërkombëtare”, ka potencuar ai në Facebook. 

Sipas tij, këto të arritura artistike dhe shkëlqimi i yjeve tanë gjithandej nëpër festivalet botërore na bëjnë krenarë si popull dhe si Republikë.   

 Postimi i plotë i kryeparlamentarit Konjufca  

  Krahas sukseseve madhore olimpike të vashave tona të arta, edhe kinematografia e Kosovës po e vazhdon rrugëtimin me të arritura kulmore botërore.    

Nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Scottsdale të Arizonës sapo na erdhi lajmi i madh. Ylli i kinematografisë sonë, Yllka Gashi, është stolisur me çmimin prestigjioz si aktorja më e mirë në rolin kryesor në filmin “Zgjoi”, në edicionin e sivjetmë të këtij Festivali. Ky është çmimi i tretë për aktoren tonë me renome ndërkombëtare.    

Këtyre sukseseve iu bashkua edhe filmi “Vera Andrron Detin’ me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës, duke u shpërblyer me Grand Prix / The Governor of Tokyo Aëard me çmimin kryesor të edicioni të 34-të në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, ku edhe shfaqi premierën aziatike javën që shkoi.    

Po ashtu, këto ditë, edhe filmi “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda, pas shpërblimit në Premierën botërore, ribëri historinë duke u nominuar për Çmimin prestigjioz të Akademisë Evropiane të Filmit, e cila nderon arritjet më të mëdha në kinematografinë evropiane. Ky është nominimi i parë për një regjisor nga Kosova i cili do të jetë në garë në mesin e 5 filmave të shkurtër evropianë.   

Këto të arritura artistike dhe shkëlqimi i yjeve tonë gjithandej nëpër festivalet botërore na bëjnë krenarë si popull dhe si Republikë.