Pamje nga konferenca. Foto: Screenshot/ KALLXO.com.

Konferencë shkencore në 25-vjetorin e çlirimit: Kurti: Është koha për libra shkencorë për luftën e UÇK-së

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga okupimi serb, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, po mbahet sot (10.06.2024) konferenca shkencore, “25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: Një çerek shekull shtetndërtim, arritje dhe sfida-qasje multidisiplinare”.

Në ceremoninë hapjes së kësaj konference mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se 25-vjet pas çlirimit të Kosovës është koha e duhur që të botohen libra shkencorë për luftën e UÇK-së.

“Është koha e duhur që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet, shkrimet dhe botimet tona të shkojnë secilën herë e më shumë duke u bërë më akademike dhe më shkencore më koncptuale dhe konkretizuese. Historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë kanë aq shumë nevojë për tu studiua dhe hulumtuar dhe për tu shkencëruar nga që ne kemi nevojë për diskurse shkencore për studime shkencore dhe botime akademike për gjithë luftë, për viktimat e luftës, për dëmet e masakrat”- tha Kurti.

Ndërsa, kryetari i ASHAK-ut, akademik Mehmet Kraja tha gjatë fjalës së tij se për kombin shqiptar, çlirimi i Kosovës ishe ngjarje e dytë më me rëndësishme e shekullit të 20-të,  pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Sipas tij, lufta për Kosovën bëri një ndryshim në mënyrën e konceptimit të lirësisë së popujve, demokracisë dhe vetadministrimit, parime këto që, siç tha ai për shumë kohë shkelën në vendimmarrjet historike, veçmas në konferencat e paqes.

“Çlirimi i Kosovës, ndodhi në ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP), nuk besoj në koincidencë, por  besoj se dy shekujt e shkuar e bën kombin dhe dy shtetet tona, LSHP- ja bëri kombin shqiptar e shekull i 20-të bëri dy shtete tona, shekulli 21 ende nuk e ka thënë fjalën e fundit”- tha ai.

Kurse, Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH-së tha se hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë 25 vjet më parë si forca çlirimtare është një ngjarje e cila çoi në pavarësimin e Kosovës, duke mbyllur kështu ciklin 100-vjeçar të fitimit të pavarësisë së shqiptarëve në Shqipëri e në Kosovë.

“Për rezultatet e tij historike, shpalljen e fitimin e dy pavarësive të arritura tashmë, gjithnjë e më shumë dëshirojmë ta quajmë shekullin e 20-të – shekulli i shqiptarëve”- tha Gjinushi, ndër të tjerash.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe ish-presidentët, Fatmir Sejdiu dhe Alfred Mojsiu.

Gjatë fjalës së tij ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se ky përvjetor ofron një mundësi për të parë proceset dhe vendimet që i dhanë formë shëtit të Kosovës.

“Pas një lëvizje aktive kundër okupimit në krye me ish-presidentin Rugova, dhe afirmimit ndërkombëtar ‘98/99, qytetarët e Kosovës u përballen me luftën e imponuar nga agresioni serb dhe me sfida të paimagjinueshme. Shqiptarët nuk u nënshtruan por rezistuan të prirë nga UÇK-ja”- tha Sejdiu.

Ndërkaq, Alfred Mojsiu, ish-president i Shqipërisë tha ndër të tjera, se dy shtetet, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një bashkëpunim të ngushtë ushtarak, pas rastit të Banjskës.

“Kjo na detyron që të risim vigjilencën dhe kujdesin që kemi me ta 9serbët) dhe të forcojmë lidhjet dhe mirëkuptimin me aleatët tanë kryesor”- tha Mojsiu.

Konferenca po i vazhdon punimet me shpalosjen e kumtesave nga historianë, njohës të zhvillimeve gjeopolitik e studiues të ndryshëm. Qëllimi i kësaj konference, sipas organizatorëve është ri-shikimi i së kaluarës dhe identifikimi i sfidave e të cilat përballet Kosova në të ardhmen e saj.

Kjo konferncë është organizura nga ASHAK-u dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Pamje nga konferenca. Foto: Screenshot/ KALLXO.com.