Pallati i Rinise

Komuna ndau lokacionin, ministri Çeku premton ndërtimin e objektit të Operës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka premtuar se shumë shpejt do të shpallet konkursi për projektin e ndërtimit të ndërtesës së teatrit të Operës dhe Baletit, një ditë pasi Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e kësaj ndërtese.

Të enjten, Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi që hapësirë (parkingu aktual) prapa Pallatit të Rinisë të jetë vendi për ndërtimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

“Tashmë e kemi edhe lokacionin, shumë shpejt do të shpallim konkursin ndërkombëtar të projektimit. Ashtu siç jemi zotuar nga fillimi, Teatri i Operas dhe Baletit do të bëhet. Institucionet dhe artistët tanë të operas, baletit dhe filharmonisë do ta kenë ndërtesën e tyre të dinjitetshme e shumë të merituar”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Çeku ka shkruar se Qeveria e Kosovës do të bëj më të mirën për t’i zbatuar të gjitha fazat pasuese me efikasitet dhe cilësi, deri në momentin e inaugurimit të hapësirës më të madhe kulturore në shtetin tonë.

Të enjten, asamblistët e Kuvendi Komunal të Prishtinës votuan që hapësira mbrapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve të jetë lokacioni për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

37 asamblistë votuan pro, asnjë kundër dhe 2 abstenuar për propozim-vendimin për lokacionin për Teatrin e Operës dhe Baletit.

Përparim Rama, kryetar i Prishtinës deklaroi gjatë fjalës së tij se hapësira e dedikuar për Operën dhe Baletin do të shërbejë edhe si platformë multifunksionale.

Hapësira prapa Pallatit të Rinisë ndahet për teatër të operës dhe baletit