Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Komuna e Prizrenit lë tre muaj pa rroga aktorët e Teatrit ‘Bekim Fehmiu’

Në kulmin e Pandemisë së Coronavirusit, Komuna e Prizrenit ka lënë pa rroga për tre muaj aktorët e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”.

Nëntë aktorët e Teatrit “Bekim Fehmiu” nuk kanë marrë rrogë në muajt: maj, qershor dhe korrik 2020.

Mos dhënien e pagave, zyrtarë të Komunës së Prizrenit e arsyetojnë me vonesat për hapjen e konkursit për pranimin e aktorëve në trupën rezidente të teatrit.

Sazan Cukaj, zyrtar i lartë për Kulturë në Komunën e Prizrenit ka thënë për Kallxo.com se arsyeja pse aktorët e teatrit nuk janë paguar është sepse komuna ishte në pritje të përgjigjes nga Ministria për hapjen e konkursit për teatrin.

“Arsyeja pse aktorët e teatrit nuk janë paguar është sepse kemi qenë në pritje të përgjigjes nga ministria (për shkak të situatës së krijuar me pandeminë na është vonuar përgjigjja rreth 2 muaj) për hapjen e konkursit. Ne si Drejtori pas marrjes së përgjigjes pozitive kemi filluar dhe përfunduar të gjitha procedurat e konkursit për aktorët. Kontratat aktorët i kanë nënshkruar në mes të muajit korrik dhe do të fillojnë të marrin paga për gjysmën e muajit korrik dhe muajin gusht”, ka thënë Cukaj për Kallxo.com.

Në muajin qershor ishte hapur konkursi për aktorë të teatrit. Konkursit iu nënshtruan edhe aktorë që ishin pjesë e teatrit që deri në fund të 2018-ës për çdo vit ishin të detyruar të lidhnin kontrata të përkohshme me teatrin “Bekim Fehmiu”.

Një muaj më vonë dolën rezultatet e konkursit ku u pranuan 11 aktorë, në mesin e të cilëve edhe 9 aktorët veteranë të teatrit. Ndërsa në mes të korrikut u nënshkruan kontratat.

Në shkurt të këtij viti Kallxo.com pati raportuar se nëntë aktorët e Teatrit të Qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu” nuk i kishin marrë as rrogat e muajit janar 2020. Arsyetimi i Komunës për rrogat e janarit ishte se Teatri “Bekim Behmiu” nuk kishte pasur ndonjë aktivitet artistik – shfaqje gjatë janarit 2020.