Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës prononcohet pas pezullimit të vendimit për renovimin e Hamamit të Madh

Komuna e Prishtinës ka mohuar se anulimi i vendimit të  Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, është bërë për shkak të emrit.

Adrian Berisha, drejtor për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka thënë se arsyet për vendimin për anulim janë disa problemeve të tjera në projekt.

“Komuna e Prishtinës ju njofton që projekti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sa i përket restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë nuk është anuluar, mirëpo është anuluar vendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nga komisioni i Ankesave në IKMM.  Anulimi i vendimit nuk vjen si pasojë e emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës, siç po shkruhet në disa media, por shkaku i disa problemeve të tjera në projekt, si: paramasa, plani dinamik, etj.”, ka thënë për KALLXO.com

Ndërsa e ka akuzuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mos qartësi rreh vendimit për anulim.

“Ju njoftojmë që, Këshilltari për Media i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka deklaruar për media që projekti është pezulluar. Ndërsa, Komisioni i Ministrisë së Kulturës deklaron se është anuluar vendimi i IKMM, që nënkupton se projekti është hedhur poshtë. Pezullim do të thotë që projekti mund të rishikohet dhe të plotësohet, përderisa në vendim të komisionit kjo nuk shkruhet. Andaj, Komuna e Prishtinës kërkon sqarim të menjëhershëm rreth këtyre deklaratave që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën e për të cilat vendime Komuna e Prishtinës nuk është njoftuar paraprakisht, por lajmin e ka kuptuar nga mediat.  Fakti që qytetarët po dezinformohen dhe mediat informohen para institucionit për një vendim të tillë është shqetësues”, ka thënë drejtori Berisha për KALLXO.com.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në anë tjetër zyrtarë të  MKRS kanë thënë për KALLXO.com se pasur një ngatërrim të fjalëve dhe se të mërkurën komuna është njoftuar për anulimin.

“Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave pranë Ministrisë së Kulturës e ka anuluar Vendimin e IKMM-së për renovimin e Hamamit të Madh. Është ngatërruar fjala anulim me pezullim, dhe anulim i vendimit me pezullim të projektit. Dje IKMM-ja e ka njoftuar Komunën e Prishtinës lidhur me këtë anulim”, ka thënë për  KALLXO.com, Qerim Ondozi, këshilltar i ministrit të Kulturës.

 

 

Ministria e Kulturës tregon arsyet e anulimit të vendimit për restaurimin e Hamamit të Madh