Komuna e Prishtinës hap konkurs për pranimin e 5 aktorëve në teatrin 'Dodona'

Komuna e Prishtinës ka hapur konkurs për pranimin e pesë aktorëve të cilët do të jenë pjese e trupës rezidente të teatrit “Dodona”.

Konkursi për aktorë të “Dodonës” hapet më se një vit pasi teatrove të qyteteve iu lejua rekrutimi i aktorëve për stafet rezidente dhe protestave të aktorëve të Prishtinës, të cilët kërkonin që Komuna të hapte konkursin për aktorë në teatrin e qytetit.

Aktualisht “Dodona” ka 4 aktorë dhe me pranimin e pesë të tjerëve numri i përgjithshëm i aktorëve të trupës arrin në 9.

Por, edhe me pranimin e pesë aktorëve teatri “Dodona” nuk arrin të numrin minimal që duhet të kenë teatrot e qyteteve, sipas Ligjit për Teatrot.

“Teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej së paku dhjetë (10) dhe me së shumti njëzet (20) aktorëve”, thuhet në nenin 7, pika 5, të Ligjit për Teatrot.

Megjithatë drejtori për Kulturën në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, përmes një postimin në Facebook ka lënë të kuptohet se Komuna do të synojë të të arrijë ta kompletojë trupën rezidentet të “Dodonës”.

“Edhe pse me këta numra trupa rezidente e Teatrit të Qytetit ‘Dodona’ do të arrijë në nëntë (9), ne do të synojmë që ky numër të plotësohet në të ardhmen dhe trupa rezidente e teatrit të qytetit të Prishtinës të jetë me minimum njëzet (20) aktore”, ka shkruar ai.

Sipas konkursit, kandidatët që do të aplikojnë për t’u bërë anëtarë të trupës rezidente të “Dodonës” duhet të kenë diplomë universitare dhe së paku 2 vjet përvojë punë në aktrim.

Konkursi mbetet i hapur deri më 06.05.2021.