Komuna e Prishtinës fillon punimet për Strehimoren e Artit

Komuna e Prishtinës ka nisur renovimin e hapësirave të Strehimores në Lagjen “Bregu i Diellit” për ta shndërruar në galeri të artit. 

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se kanë filluar punimet për rivitalizimin e Strehimores në rrugën Enver Maloku në “Bregun Diellit” e cila do të shndërrohet në Strehimore të Artit.  

“Është e qartë se kemi mungesë të hapësirave të mjaftueshme për të ekspozuar koleksionet e vlefshme që Galeria e Arteve të Kosovës posedon. Prandaj, në partneritet me Galerinë Kombëtare të Kosovës e kemi konceptuar projektin i cili Strehimoren në lagjen Bregu i Diellit e shndërron në Strehimore të Artit. Projektet dhe hapësirat e tilla janë të rëndësishme për zhvillimin e artit e kulturës në Prishtinë dhe emancipimin e të gjithëve pa dallim”, thuhet në njoftimin e Komunës.