Komuna e Prishtinës, 350 mijë euro për projekte kulturore për 2020

Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinë ka hapur dy thirrje publike për mbështetje financiare të projekt – propozimeve për organizimin e aktiviteteve kulturore për Fazën e I-rë  2020.

Për 2020 Komuna planifikon të mbështesë financiarisht realizimin e shume projekteve kulturore të skenës së pavarur, si: organizimin e festivaleve e aktiviteteve të ndryshme kulturore, të arteve pamore e deri të mbështetja për librin, filmin dhe realizimin e shfaqjeve teatrale.

Sipas thirrjeve, të drejtë për të marrë pjesë kanë OJQ-të dhe bizneset të cilat veprojnë në Komunën e Prishtinës dhe realizojnë aktivitetin e tyre në Prishtinë, si dhe individët të cilët janë rezidentë në këtë komunë.

Ndërsa OJQ-të, bizneset dhe individët mund të subvencionohen vetëm një herë brenda vitit nga Komuna e Prishtinës, kurse ato subjekte të cilat kanë projekte të pambyllura në Komunës e Prishtinës nuk do të mbështeten.

“Vlera e përgjithshme e planifikuar e të dy thirrjeve për Fazën e I-rë është 350,000.00 Euro. Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt individual është 500 Euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt është 13,000.00 Euro”, thuhet në njoftimin e komunës për mbështetje të aktiviteteve kulturore për 2020.

Afati i fundit për konkurrim në dy thirrjet e komunës është deri më 13.02.2020, kurse periudha e zbatimit të projektit është deri në fund të muajit dhjetor 2020.