Kompania ‘Koto’ flet në lidhje me akuzën për restaurimet në Novobërdë

Kompania serbe “Koto”, e cila po bën restaurimin e Kalasë së Novobërdës ka dhënë versionin e saj rreth akuzave për dëmtimet e mureve të Kalasë së Novobërdës.

“Koto”, për KALLXO.com  është deklaruar edhe rreth aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Gjilanit, vitin që shkoi.

Përmes zyrës së saj juridike, kompania serbe “Koto” me seli në Beograd në Serbi, ka shfajësuar vetëm sa i përket dëmtimeve dhe fajet i hedh tek projekti i restaurimit të kalasë.

Ndërkaq thonë se aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjilan i ka zënë të befasuar.

“Për akuzën e ngritur në Gjykatën në Gjilan jemi të njoftuar, e vetë ngritja e aktakuzës neve na befasoi duke pas parasysh që gjitha punët i kemi kryer sipas projektit dhe në harmoni me kriteret, standardet dhe normat të cilat e rregullojnë këtë veprimtari, pra në rregullat profesionale të fushës”, thuhet në përgjigjen  e kompanisë ‘Koto”.

“Koto” thotë se është kontaktuar nga Prokuroria e Gjilanit, pak para shpërthimit të pandemisë së coronavirusit, lidhur me aktakuzën.

“Ne kemi pranuar një thirrje nga zyra e prokurorit në detyrë pak para shpërthimit të pandemisë së virusit COVID-19 dhe që nga ajo kohë nuk kemi asnjë informacion se në cilën fazë është aktakuza e ngritur nga Prokuroria”, kanë thënë nga kompania “Koto.

Ndërkaq sipas “Koto-s”, shkaku i çarjeve në muret e Kalasë së Novobërdës janë ekskluzivisht gabimet në projekt.

“Sipas mendimit tonë, shkaku i çarjeve janë ekskluzivisht gabimet në projekt, d.m.th zgjidhjet e mangëta të projektit, të cilat ne si kontraktor i kemi theksuar zyrtarisht në disa raste, por gjithmonë kemi marrë siguri nga projektuesi se projekti është i përshtatshëm, si dhe kemi urdhëresa të qarta për të vazhduar punën në përputhje me të njëjtat kushte, të cilën ne e bëmë që kur u tha detyrimi ynë sipas marrëveshjes që ne nënshkruam me UNESCO”, shton “Koto”.

Këtë sipas saj, e vërteton edhe grupi i ekspertëve nga Vjena.

“Fakti se ka pasur gabime tek projektuesi, e ka vërtetuar edhe ekipi i ekspertëve të pavarur nga Vjena, të cilët u punësuan nga kompania e sigurimeve, tek e cila komapani ne kemi siguruar punimet, në përputhje me detyrimet kontraktuale nga marrëveshja jonë me UNESCO. Gjithashtu kompania  e sigurimeve ka përcaktuar se gabimet ishin të projektuesit.  Gjegjësisht, gjatë procesit të përpunimit të kërkesës sonë për kompensim, kompania e sigurimeve punësoi ekspertët e përmendur të cilët, pa asnjë dyshim, përcaktuan se shkaku i vetëm i çarjeve ishte një gabim në projekt”, thuhet më tej në përgjigen e “Koto-s”.

Edhe probleme që dolën në vjedhtë të 2019, sipas “Koto-s” vijën për shkaka të problemeve me projektin.

“Punimet për rehabilitimin – sanimin (ri-konzervimi) e mureve të ndërtuar rishtas filluan në shtator 2019, por ato nuk vazhduan gjatë, pasi ne përsëri vumë në dukje gabimet në projekt dhe propozuam ndryshimet e nevojshme, të cilat projektuesi me këmbëngulje refuzon t’i miratojë, thënë kushtimisht, ne gjendemi në një ngërç – pat pozicion. Duke pasur parasysh këtë që e thamë më sipër, ne nuk do të lëshohemi në vlerësim se, kur punimet e përmendura do të përfundojnë, sepse kjo në këtë moment nuk varet nga ne”, potencojnë nga “Koto”.

Ndërkaq për vazhdimin e më tej të punimeve “Koto” thotë se ka angazhuar një kontraktor lokal.

“Nënkontraktori i punësuar nga KOTO është një kompani lokale me të cilën kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, zgjedhja e partnerit lokal u ndikua në mënyrë vendimtare nga dëshira e KOTO që projekti i rindërtimit të Kalasë së Novobërdës të jetë multietnik duke përfshirë të dy komunitetet kombëtare që jetojnë në atë zonë. Mbikëqyrja sipas rregullave të vlefshme, si dhe dispozitave kontraktuale që kryhen nga Organi Mbikëqyrës, në këtë rast është projektuesi”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Koto” për Kallxo.com.