Komiteti shqiptar i ‘Eurodramës’ hap thirrje për drama të përkthyera

Komiteti shqiptar i “Eurodramës”, ka publikuar thirrje të hapur për drama të përkthyera në gjuhën shqipe.

Për sezonin 2020 – 2021, Komiteti i gjuhës shqipe i “Eurodramës” është i ngarkuar që të përzgjedhë drama të përkthyera në gjuhën shqipe, nga njërën prej gjuhëve që është pjesë e “Eurodramës”.

Komiteti shqiptar i “Eurodramës” koordinohet nga Qendra Multimedia në Prishtinë.

Përmes një njofitmin e Facebook, Qendra Multimedia, njofton se dramat duhet të jenë përkthyer në dy vitet e fundit, dhe mund të jenë të botuara apo të pabotuara, të inskenuara ose jo.

 “Propozimet duhet të përfshijnë përkthimin të dramës, biografinë e autorit dhe të përkthyesit, një përmbledhje të shkurtër të dramës si dhe një faqe faktesh (gjuha prej nga është përkthyer drama, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim apo produksionet e mëparshme) si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme. Përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit shqiptar është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit vendorë për ta vënë në skenë apo për ta botuar dramën. Dramat e përzgjedhura poashtu do të promovohen në rrjetin ‘Eurodram’”, thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia.

Sipas njoftimit, dramat e përkthyera mund të dorëzohen nga vet dramaturgët, përkthyesit, botuesit, agjentët etj., në këtë e-mail adresë më poshtë, me subjektin: “EURODRAM 2021: [email protected].

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 31 dhjetor 2020. Rezultatet e konkursit do të publikohen me 21 mars 2021.

“Eurodram” është rrjet evropian i përkthimit teatror, i cili përdorë gjuhët evropiane, mediterane dhe ato të Azisë Qendrore.

Rrjeti numëron rreth 300 anëtarë që janë pjesë e rreth 30 komisioneve gjuhësore.

Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që tua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve dhe të përkthyesve të teatrit, që në masë të madhe mbetet e pa-botuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor.