Pamje nga festivali “Stand Up komedi”. Foto: KALLXO.com.
Komedianët thumbojnë kryeministrin në natën e dytë të 'Stand Up komedisë' në Gjilan
Edicioni i tretë i festivalit “Stand Up komedi” është mbyllur të shtunën mbrëma, më 28.12.2024, me satira e batuta thumbuese drejtuar kryeministrit Albin Kurti, i cili ndoqi katër nga 6 standa up-et e natës së dytë të festivalit që u mbajt në Gjilan.
Kryeministri Kurti u largua nga salla pa u mbyllur festivali, për të marrë pjesë në një tubim të caktuar me qytetarë të Gjilanit.
Bashkë me kryeministrin, natën e dytë të “Stand Up komedi” e ndoqi edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Por ky i fundi qëndroi në sallë deri fund të shfaqjeve.
Komedianët gjatë interpretimit të tyre prekën hallet e përditshme të qytetarëve, veset dhe zakonet negative, lavdëruan diasporën për ndihmat që sjellin në Kosovë, por edhe e thumbuan për shpenzimet e bëra.
U kritikua edhe kryeministri dhe qeverisja e tij, për mosmbajtjen e premtimeve të bëra, për autostradën e pa përfunduar të Gjilanit, sidomos për mungesën e rrymës në gjithë Gjilanin në ditët e fundit.
Për dy ditë me radhë, stand up-istë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi, sollën për publikun gjilanas performanca që trajtonin problemet të përditshme të qytetarëve, batuta e satira nga më të ndryshmet.
Sipas organizatorëve, gjatë dy netëve të festivalit, Gjilani ka arkëtuar rreth 100 mijë euro të hyra në ekonominë e tij.
Prezantimi i komedianëve
Edhe në natën e dytë të këtij festivali, i cili është i vetmi i llojit të tij që mbahet në Kosovë, u prezantuan 6-komedianë.
Aktori Avni Shkodra e hapi natën e dytë festivalit më një stand up – premierë.
Shkodra u fokusua në sfidat që përballen artistët kosovarë në realizmin e krijimet të tyre dhe vështirësitë që puna e tyre të prezantohet para publikut, sidomos për atë pjesë që kufizohen nga mungesa e mjeteve financiare.
Komediania nga Prishtina, Valina Muçolli e nisi perfomnacën e saj me një batutë në drejtim të kryeministrit, por e vazhdoi duke satirizuar me diasporën, që sipas saj, të mira e tyre kanë qenë me bollëk. “Keni qu, bre, por edhe na kemi ditë me ua shfrytëzua, bash kënaqë jemi. Ka qenë një kohë kur suxhuku nuk u blinte me copa, por me metra, prej juve (diasporës), pikërisht”- tha ajo.
Në fakt, deri në 1 miliard euro remitenca llogaritet se sjellin bashkatdhetarët gjatë një viti në Kosovë.
Dario Haruni nga Tirana, gjatë standa-up-it të tij solli problematika të ndryshme që përballen sot qytetarët.
Ndër të tjerash ai u ndal edhe në varësinë e qytetarëve nga celularët dhe reklamat që shpërndahen në rrjetet sociale, pa lënë anash edhe debatet rreth çështjes së përhapjes së narkotikëve në Shqipëri.
“Që kur kam nisur të mbaj mustaqe më dalin tre lloj reklamash: e para ai vaji për rritjen e mjekrës, reklama e dytë me del një studio avokatie për çështje divorci, ndërsa te e treta më dalin qendra rehabilitimi pranë zonë sime lokale, kjo po që më duhet, me apo pa mustaqe”- tha ndër të tjerash ai, duke thumbuar e satirizuar aktualitetin shqiptar.
Ndërkaq, Bashkim Alaj nga Ulqini, filloi me katundin nga vjen familja Kurti, Katërkolla në Ulqin, nga i cili është edhe Alaj.
“Çfarë ndjenje me kenë prej Katërkollës. Na katërkollcat i kemi ndërrua mbiemrat e i kemi bë Kurti, komplet, edhe mu më ka shkua mendja me e bë mbiemrin Kurti”- tha komediani nga Ulqini, duk bërë që edhe kryeministri Kurti të qeshte.
Ndërsa, tha se një fat i keq e përcjell vazhdimisht, sikurse mungesat e rrymës gjatë ditëve të prezencës së tij në festival. “Që ia kam nis me besuar që jam fatkeq, ka qenë vjet, kur erdha në Gjilan, juve ju patën rritë faturat e rrymës, sivjet po i dëgjoj do agregatet tu bë, gërgërgërrr…, prej meje i keni, se unë jam ai i pafati”- tha Alaj.
Edhe komediani prishtinas, Esat Shabani startoi me një batuta për kryeministrin Kurti. “…ra pandemia, Albini shkoi të shpija”- tha ai, pasi kryeministri u largu nga salla për të marrë pjesë në tubimin me qytetarë, posa Shabani doli në skenë. Ai vazhdoi stenda up-in e tij duke ironizuar veset dhe satirizuar shprehitë e paragjykime të ndryshme shoqërore.
Kurse, Fisnik Çerkini nga Ferizaj, u mor më shumë me kryeministrin Kurti.
“Qysh bre, eci Albini (Kurti) a? Jo, se pata qejf me qenë se e kam thirrë nja 475 herë, nashta, në emision, por nuk ka ardhë kurrë dhe kam pas me ia bë nja 280 pyetje: Pse xhipat s’po i heq, pse xhipat, s’po i heq…”- tha ai, duke shtuar se do të kishte pasur qejf ta pyeste edhe për rrymën.
“Desha me folë me të qysh folë ai me të tjerët: Qysh more gjinja (njerëzit) s’kanë rrymë, e ti ke ardhë me keshë a”- tha stand Up-isti Çerkini.
Ai iu referua faktit, se dy ditë e fundit një pjesë dërmuese e Gjilanit më rrethin janë përballur me reduktime të gjata të energjisë elektrike.
Festivali “Stan Up komedi”, simboli Gjilanit
Pavarësisht problemeve e halleve, shumë prej qytetarëve të Gjilanit kaluar çaste argëtimi në dy netët e festivalit “Stand Up komedi”.
Selim Daku, profesor në Universitetin “Kadri Zeka” thha për KALLXO.com se festivali “Stand Up komedi” po kontribuuon në ngjalljen e jetës kulturore nw Gjilan.
“Të gjitha stend up- komeditë ishin të veçanta, në secilën u trajtuan tema sociale, problematika të përditshme, hallet e njerëzve që u përkthyen në momente gëzimi e qeshje. ‘Stand Up komedi’, po gjallëron jetës kulturore në Gjilan, sidomos me përfshirjen e komedianëve nga të gjitha trevave shqiptare, duke i dhënë më shumë kolorit ngjarjes”- tha ai, për KALLXo.com.
Ndërsa, regjistroi Ekrem Sopi, tha për KALLXO.com, se dy netët e festivali janë një tregues se publiku ka nevojë me e pa vetveten dhe të qeshë.
“Salla ke plotë, të gjithë stand up-istët trajtuan tematika nga përditshmëria, do të veçoja performancën e Valina Muçollin dhe problematikat që ajo ngriti, dha porosi shekspiriane, e pamë edhe përmes reagimeve të publikut, gjithçka e trajtoi përmes komedisë dhe një humori të hollë”- tha Sopi.
Ndërsa, komediania Valina Muçolli u shpreh se reagimi i publikut është një parametër për një stand up-istë për ta vlerësuar prezantimin para publikut.
“Standa up-i, si zhanër është i vështirë, dhe deri ikur kanë qenë e vetmja (në Kosovë), tashmë kemi, e po shpresoj që në të ardhme do të kenë më shumë, si zhanër është mjaft i veçantë dhe siç po shihet edhe i pëlqyer nga publiku”- tha Muçolli, për KALLXO.com.
Ideatori dhe njëri nga organizatorët e festivalit “Stand Up komedi”, Avni Shkodra, tha për KALLXO.com, këtë vit festivali është ngritur në një nivel tjetër, duke pasur parasysh edhe kërkesat e publikut.
“Vitin tjetër do të shohim mundësi që shfaqjet të jepen në dy terminë, duke pasur parasysh se në Gjilan nuk ka salla që mund të akomodojmë të gjitha kërkesat për ndjekur shfaqjet e festivalit”- tha Shkodra.
Shkodra ka thënë se ky festival përveç se ka ngjallur jetën kulturore, Gjilanit i ka sjell edhe të hyra financiare.
“Në analizën e impaktit socio -ekonomik që ne realizojmë pe projektin, i bie që gjatë dy netëve, Gjilan ka përfituar rreth 100 mijë euro të hyra nga festivali” -ka thënë Shkodra.
Përveç edicionit të tretë, më 27 dhe 28.12.2024, festival “Stand Up komedi” ka mbajtur edhe dy edicione, më 2022 dhe 2023 në Gjilan. Ky festival organizohet nga OJQ ‘Varg e Vi”.