Komedia 'Mat' së shpejti në Teatrin 'Dodona'

Komedia “Mat” e Ag Apollonit që vë përballë njeriun me vdekjen pritet të shfaqet në skenën e Teatrit “Dodona”, në Prishtinë.

Regjinë e kësaj komedie e ka bërë Ben Apolloni, ndërsa luajnë Brahim Basha, në rolin e Matit dhe Adelina Halitjaha, në rolin e Vdekjes.

Ben Apolloni, regjisori i shfaqjes ka thënë për Kallxo.com se komedia “Mat” është një rrëfim për një burrë që takohet me vdekjen e tij.

Sipas tij, provat për këtë shfaqje kanë filluar javë më parë dhe gjatë këtij muaji (dhjetor) pritet shfaqja e premierës në Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

“’Mat’ është një komedi përplotë situata komike, dialogje shumë inteligjente e përplot humor, që jep mundësi të jashtëzakonshme për aktorët për të shfaqur aftësitë e tyre interpretuese, por edhe mundësi leximi kreativ nga regjisorët”, ka thënë Apolloni.

Realizimi i shfaqjes është përkrahur nga MKRS dhe Komuna e Prishtinës.