Kinematografi: Filmat me më së shumti fitime në vitin 2019

Në krejt botën, filma të ndryshëm, kryesisht nga kompanitë kinematografike amerikane, kanë arkëtuar miliarda dollarë fitim.

Sipas magazinës britanike NME, e cila e ka publikuar listën e filmave me fitimet më të mëdha gjatë vitit 2019, filmat që janë renditur me përfitimet më të mëdha në vitin  2019 janë si më poshtë:

Në vendin e parë renditet filmi Avengers: End Game, i cili ka arkëtuar 2.8 miliardë dollarë në krejt botën duke marrë titullin e filmit me fitimet më të mëdha ndonjëherë në historinë e kinematografisë botërore.

Në vendin e dytë gjendet filmi i animuar Lion King me një fitim prej 1.6 miliard dollarë.

Vendin e tretë e zë filmi Spider-Man: Far From Home me 1.13 miliard dollarë, ndërkohë që vendi i katërt i takon edhe një filmi nga produksioni filmik Marvel i quajtur Captain Marvel me 1.12 miliard dollarë. Filmi i animuar Toy Story renditet në vendin e pestë me 1.07 miliard dollarë i përcjellë me filmin tjetër Aladdin me një fitim prej 1.05 miliard dollarë.

Edhepse akoma është duke u shfaqur nëpër kinema në krejt botën, filmi Joker sipas data bazës online filmike IMDB është shpallur si filmi më i mirë për vitin 2019 duke u renditur në vendin e shtatë me një fitim prej 1.04 miliard dollarë. Menjëherë pas filmit Joker renditet vazhdimi i filmit Fast & Furious: Hobbs & Shaw me 759 milionë dollarë të arkëtuar.

Vendin e nëntë e mban filmi i animuar Frozen 2, i cili akoma është duke u shfaqur nëpër kinematë botërore dhe deri më tani ka arkëtuar 742 milionë dollarë.

Dhjetëshja e parë e filmave me fitimin më të madh mbyllet me filmin Ne Zha me 700 milionë dollarë, në vendin e 11-të renditet filmi The Wandering Earth me 699 milionë dollarë të arkëtuar. Pas tij vjen filmi i animuar How to Train Your Dragon: The Hidden World” i pozicionuar në vendin e 12-të me 520 milionë dollarë fitim.

Vendi i 13-të i takon filmit Maleficent: Mistress of Evil me 480 milionë dollarë, pastaj filmi IT Chapter 2 në vendin e 14-të me 470  milionë dollarë të përfituar.

Vendi i 15-të është i rezervuar për filmin Pokémon Detective Pikachu me 432 milionë dollarë, vendi i 16-të The Secret Life of Pets 2  me 429 milionë dollarë, vendi i 17-të My People, My Country me 423 milionë dollarë.

Tri pozicionet e fundit i takojnë filmit The Captain në vendin e 18-të me një fitim prej 407 milionë dollarë, pasuar me filmin Alita: Battle Angel në vendin e 19-të me 405 milionë dollarë, ndërkohë që filmi i fundit, pra filmi në vendin e 20-të, është Godzilla: King of the Monsters me një arkëtim prej 386 milionë dollarësh.